Partitë e koalicionit gjerman kanë rënë dakord të zgjerojnë masat për të zbutur efektet negative të krizës korona në ekonominë më të madhe të Evropës me një shtesë prej 10 miliardë eurosh, duke përfshirë shtrirjen e programeve me kohë të pjesshme dhe ngrirjen e rregullave të falimentimit të korporatave. Ekonomia gjermane regjistroi rënien më të madhe ndonjëherë në tremujorin e dytë, prej sa 9.7 për qind, kështu që qeveria po përpiqet të zbusë sa më shumë efektet e pandemisë, veçanërisht para zgjedhjeve në vjeshtën e vitit 2021, sipas Reuters.
“Sot ne kemi rënë dakord të zgjerojmë masa të rëndësishme dhe efektive në luftën kundër pasojave të koronavirusit”, tha Anegret Kramp-Karenbauer nga CDU, pas gati shtatë orësh bisedimesh me partnerët e koalicionit nga SPD. Ndër të tjera, u ra dakord që subvencionet për punë me kohë të pjesshme, të cilat duhet të skadojnë në mars 2021, do të zgjaten deri në fund të vitit të ardhshëm, dhe se ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tejkalimin e kriz ës aktuale do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.
Programi i subvencionimit me kohë të pjesshme synon të ruajë vendet e punës, duke u mundësuar punëdhënësve të mbajnë punëtorët ndërsa zvogëlojnë orarin e tyre të punës.
Qeveria e kancelares Angela Merkel më parë miratoi një paketë masive stimuluese, me vlerë më shumë se 130 miliardë euro, e cila shpreson se do të ndihmojë që ekonomia të kthehet në rrugën e rritjes. Partitë e koalicionit gjithashtu ranë dakord për një reformë në ligjin zgjedhor që synon të zvogëlojë numrin e deputetëve në Dhomën e Ulët të parlamentit, Bundestag.