Mbi 294 mijë të infektuar është rekordi i ri global i shënuar gjatë 24 orëve të fundit. Është kjo shifra e bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që jep alarmin për një rritje të re të numrit të infektimeve ditore, teksa të prekurit në gjithë botën kanë arritur në mbi 21.6 milionë, mes të cilëve afro 770 mijë kanë humbur jetën.

Të dhënat e orëve të fundit tregojnë se Franca kapërceu Spanjën për nga numri ditor i të prekurve. Në 24 orët e fundit, në Francë janë shënuar 3 310 raste të reja infektimesh. Ndërsa në Spanjë, numri i infektimeve ditore ra këtë të dielë në 2 987. Gjatë javës pati raste kur shifra kapërceu 5 mijë të infektuar në 24 orë.

Shtim të ndjeshëm infektimeve ditore ka pasur edhe në Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, infektimet ditore janë mbi 46 mijë. Kryevirologu amerikan Anthony Fauci paralajmëroi se nëse vazhdohet me praktikën e imunitetit të tufës, numri i vdekjeve do të shtohet në mënyrë katastrofike.