Nga Ilir Beqaj/ U mbushën 5 muaj (22 javë) që prej rastit të parë të konfirmuar me Covid-19 në Shqipëri. Deri më tani Shqipëria është një nga vendet e prekura në shkallë relativisht të ulët nga Covid -19. Megjithëse prej 5-6 javësh vendi nuk është në situatë të qartë për të ardhmen e afërt dhe afatmesme. Që prej fillimit Shqipëria ka 20 raste pozitive për 100 mijë banorë. Grupmoshat më të prekura janë 30 –49 vjeç.
Në javën e fundit vihet re një rritje më e ndjeshme e peshës specifike të rasteve pozitive ndaj totalit të grupmoshës 20 -29 vjeç. Tabela të vijim tregon ecurinë e peshës specifike të rasteve pozitive sipas grupmoshave.
Kjo mund të vijë si rezultat i rritjes së numrit të të prekurve në moshën 20 – 29 vjeç si pasojë e mosrespektimit të rregullave të vendosura nga qeveria për distancimin në plazhe, pishina dhe lokalet e argëtimit. Këta të rinj mund ta përhapin më lehtë në gjyshërit e tyre me të cilët mesa duket ende bashkëjetojnë. Duke qënë se Case Fatality Rate në grupmoshat mbi 60 vjeç është ndjeshëm më e lartë, qeveria duhet të ndërmarrë një strategji të veçantë sesi mund të këputet zinxhiri i transmetimit tek të moshuarit.
Rritja e kapaciteteve të testimit nuk po shoqërohet ende me ulje të Test Positivity Rate. Përkundrazi, ky tregues vijon prirjen rritëse. Duhet ndryshuar qasja mendoj unë. Tamponi nuk mund të merret më vetëm nga skuadra mjekësore që vijnë në vendbanim. Kjo vlente në periudhën e lockdown. Duhet të ngrihen qendra të marrjes së tamponëve në territor. Të paktën t’u kursejmë epidemiologëve kohën e panevojshme të vajtje – ardhjeve në banesë të të dyshuarve.
Ditët e fundit janë shtuar zërat publikë që janë kritikë ndaj qeverisë dhe masave të saj në përballje me Covid-19.
Sipas këtyre zërave, publiku duhet të ditka se a jemi në pikun e pandemisë, a jemi në ngjitje, a po shkojmë drejt platosë, ku jemi me daljen nga pandemia. Po ti lexosh duken pyetje të bukura. Po cili qenka ai vend që i qenka përgjigjur këtyre pyetjeve?
Të enjten, kryeministri hollandez iu drejtua bashkëqytetarëve të vet . Midis të tjerash është shprehur : “Po shpresonim për një verë të lehtë e pa shumë përgjegjësi, por fatkeqësisht ky nuk është një opsion. Coronavirusi po nxjerr kokën sërish; numri i infeksioneve është rritur në javët e fundit dhe avantazhi që ndërtuam kundrejt virusit në muajt e fundit po vihet në kërcënim. Ndaj, mesazhi i sotshëm është që nuk duam një lockdown të dytë dhe një gjë e tillë nuk ka pse të ndodhë detyrimisht. Na takon të gjithëve të sigurohemi se mund ta
shmangim.
Mes muajve maj dhe korrik e vumë virusin nën kontroll duke respektuar rregullat bazë e shumë njerëz po i ndjekin ende këto rregulla, por gjithnjë e më shumë njerëz po tregohen të shkujdesshëm, gjë që ka rezultuar së fundmi në rritjen e numrit të infektimeve. Rregulli bazë mbetet jetësor: ruani distancën prej 1.5 metrash, qëndroni në shtëpi nëse ndjeni simptoma, dhe testohuni! Punoni prej shtëpisë dhe shmangni grumbullimet e mëdha sa më shumë të jetë e mundur dhe vazhdoni të lani duart. Kjo vlen në veçanti për qytetin e Amsterdamit, që ka një mesazh për turistët, vendas e të huaj: ju lutemi, shmangni zonat me ngarkesë në Amsterdam sa më shumë të jetë e mundur.”
Nuk kuptoj disa të tjerë, që duket sikur mezi presin më të keqen kur deklarojnë se :”Mund të fundosemi nëse ….”.
Megjithatë, do të duhet të mirëpresim çdo këshillë e të hulumtojmë çdo eksperiencë të suksesshme në mbarë rruzullin. Sipas agjencisë Bloomberg, duhet të mësojmë nga strategjia e e testimit e Zelandës së Re, nga strategjia e shkollave e Danimarkës dhe nga strategjia e komunikimit me publikun e Ugandës.
Vlerësohet se i gjithi Ballkani nuk ka qënë në gjendje të përfitojë nga anvantazhet e masave të rrepta. shtrënguese të javëve të para. Kjo temë ka qënë së fundmi edhe në vëmendjen e revistës prestigjoze
“Thë Economist”.
Edhe Greqia që ka numër shumë të ulët qoftë të rasteve, qoftë të fataliteteve, javën e fundit ka raste të reja në ditë në nivelet më të larta.
Me të drejtë, çdokush që lexon këto rradhë, ka të drejtë të shtrojë pyetjen – po shkruesi i këtyre rradhëve çfarë këshille ka për të dhënë. Për mua, primare është ndjekja me sa më rigorozitet e këshillave të autoriteteve publike dhe vendosja e një komunikimi të vazhdueshëm me mjekun e familjes. Prej shumë javësh, të njohur, miq e të afërm më kontaktojnë për të më pyetur qoftë kur kanë një shqetësim konkret, qoftë në parim, qoftë për orientim.
Midis të thjerash u kam thënë se duhet që me shenjat më të para dyshues të kontaktojnë mjekun e familjes. Jo të gjithë ka rezultuar se e dijnë cilin kanë mjek familje. Por më e keqja, është se edhe pse prej javësh ua kam dhënë këtë këshillë, askush nuk ka marrë mundimin të mësojë se kush është mjeku i tij i familjes.
Prandaj, miq të dashur! Javën e ardhshme, google-oni 5 minuta më pak në ditë dhe ju siguroj që nëse bëni përpjekje minimale do të dini cili është mjeku juaj i familjes. Seicili prej tyre di shumë të tepër se të gjithë ne, edhe së bashku.