Në Itali fitoi titullin kampion për të nëntin sezon radhazi, por në Europë, Juventusi tregoi sërish se i mungon diçka për të fituar, pasi edhe këtë sezon u eliminua nga Lyoni në fazën e 1/8-ave dhe i dha lamtumirën objektivit për të ngritur lart kupën me “veshë të mëdhenj”. Presidenti i bardhezinjve, Andrea Agnelli doli para gazetarëve për të bërë bilancin e sezonit, ndërsa në fjalët e tij nuk e fshehu aspak zhgënjimin për eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe paralajmëroi ndryshime.
“Të eliminohesh kështu është zhgënjyese, ndaj do të marrim disa ditë kohë për të reflektuar dhe për t’u përgatitur të përballojmë sezonin e ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse deri para disa vitesh, Championsi ishte një ëndërr për ne, tani është një objektiv që duhet arritur, pasi kemi një organikë nga më të mirat në Europë”, u shpreh numri një i bardhezinjve. Trajneri Sarri duket se është ai që rrezikon më së shumti të paguajë dështimin e radhës në Europë, pasi vetë Agnelli konfirmoi drejtuesit Paratici e Nedved, duke i komplimentuar për punë ne bërë dhe “shtrëngoi” fort Cristiano Ronaldon.
“Do të bëjmë një analizë të thellë për të parë ku kemi gabuar dhe natyrisht që në vlerësim do të kalojë edhe trajneri. Ronaldo është një shtyllë e Juventusit dhe do të vijojë të qëndrojë këtu edhe për dy vitet e ardhshme, ndërsa Nedved dhe Paratici kanë bërë një punë shumë të mirë. Janë drejtues të zotë dhe gëzojnë besimin tim maksimal”, tha Agnelli.