Besueshmëria e qytetarëve tek Policia e Shtetit është rritur dhe është solide dhe kjo dëshmohet edhe nga katërfishimi i thirrjeve në numrin “112”, krahasuar me shtatë vite më parë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, argumenton këtë rritje të besimit me shifrat që ka publikuar të shtunën në mëngjes, ku thirrjet në drejtim të numrit “112”, në shtatë muajt e parë të vitit 2020 janë thuajse 4-fishuar në krahasim me shtatë mujorin e parë të vitit 2013. Ministri Lleshaj nënvizon se ky rezultat ka ardhur për arsye se është ndërtuar një platform solide dhe besimi reciprok me qytetarët.

“Edhe në vitin 2020 vijon forcimi i punës për të zgjeruar mundësinë e qytetarëve për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit. Kemi ndërtuar platformën solide të besimit reciprok, ndaj qytetarët ofrojnë informacion e marrin ndihmë apo shërbim nga Policia”,- shprehet Lleshaj. “Kjo dëshmohet nga numri i telefonatave në numrin unik “112”, me një rritje drastike krahasuar me disa vite më pare”,- përfundon Lleshaj, duke publikuar dhe statistikat. Në statistikat e publikuara nga ministri Lleshaj, vihet re se në 7-muajt e parë të vitit 2013 u regjistruan 85 630 thirrje në drejtim të Policisë së Shtetit. Në shtatë muajt e parë të këtij viti u regjistruan 317 518 telefonata në drejtim të Policisë së Shtetit, ose 3.7 herë më shumë se 7 vite më parë. Vitin e shkuar thirrjet e regjistruara në drejtim të Policisë së Shtetit në shtatë muajt e parë të vitit ishin 313 553, një shifër e afërt me numrin e thirrjeve të vitit 2020 dhe 3.5 herë më i lartë se ai i vitit 2013.