Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë ditës së sotme, ka asgjësuar mbi 91 ton ushqime të skaduara. Në një njoftim të bërë publik AKU njofton se një sasi tjetër e konsiderueshme është pajisur me etiketë në gjuhën shqipe. Sipas AKU 0.45 ton ishte e bllokuar për shkak se nuk kishte etiketën shqip, një detyrim për çdo biznes.
“Me kërkesë të vetë subjektit është kontrolluar nga trupa inspektuese e AKU-së pajisja me etiketë në gjuhën shqipe e një sasie prej 0.45 ton produkte ushqimore, të bllokuara më parë nga AKU, për mungesë etiketimi në gjuhën shqipe. Për pasojë është bërë edhe zhbllokimi i kësaj sasie. Gjithashtu po me kërkesë të një subjekti ushqimor është bërë asgjësimi i një sasie prej 91.031 ton produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi”, njofton AKU.
Në total, AKU ka kryer gjatë ditës së sotme 445 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, në fokus ka të së cilave ka qenë zbatimi i masave Anti-COVID. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë dhënë 20 masa me paralajmërim në biznese ushqimore.
“AKU kryen 445 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin. Trupat inspektuese të AKU-së kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme në gjithë vendin inspektimet dhe monitorimet edhe si pjesë e Task-Forcës Anti-Covid. Monitorimet e Task-Forcës vijojnë me intensitet në përpjekje për të sensibilizuar ,por edhe mos toleruar asnjë subjekt në moszbatimin e protokolleve të sigurisë Anti-Covid. Gjatë inspektimeve janë dhënë 20 masa me paralajmërim në biznese ushqimore, të cilat nuk kanë pasur të rinovuara librezat shëndetësore, analizat e ujit dhe Planet 3D. Bazuar në Planin e Marjes së mostrave janë marrë 45 mostra për monitorim të qumështit në analizimin e ngarkesës mikrobike dhe qelizave somatike. AKU do të vazhdojë pandërprerë punën në garantim të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve”, përfundon njoftimin AKU.