Barcelona u shfaq në Lisbonë për të luajtur kundër Bayernit me 15 lojtarë të ekipit të parë, pasi kishte shpenzuar 989 milionë euro për përforcime në pesë sezonet e fundit. Një shumë rekord në Europë, që nuk e ka ndihmuar atë të fitojë asnjë Champions nga ajo kohë. Meqenëse Barça ngriti të pestën Ligë Kampionësh në Berlin, më 6 qershor 2015, me Neymar në skuadër, ajo nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse grumbullon zhgënjime në këtë kompeticion. Situata është më e ashpër çdo vit. Në total janë 23 lojtarë, që kanë nënshkruar për Barcelonën që nga ajo kohë, nga të cilët vetëm pesë prej tyre ishin kundër Bayernit. Mesatarja e secilit transferim është 43 milionë euro.
Sezoni 2015-2016- 62 milionë euro (nënshkrime) Nënshkrimi i pare, pas atij Champions-i të fituar kundër Juventusit, ishte Arda Turan, për 40 milion euro, i pasuar nga Aleix Vidal për 22 milionë. Në total, 62 milionë shpenzime për përforcime nga kampionia e Europës, e cila më pas u mburr se pati “tridentin” më të mirë në botë: Messi-Suárez-Neymar. MSN nuk ka detyruar disbursime të mëdha.
Sezoni 2016-2017 – 140 milionë euro Në sezonin 2015-2016, Barça do të fitonte La Liga-n dhe Kupën e Mbretit, por Atlético Madrid e nxori jashtë Ligës së Kampionëve. Klubi katalanas e hapi portofolin për të lehtësuar zhgënjimin dhe për t’u përballur në sezonin 2016-2017 me më shumë garanci. Gjashtë blerje të reja mbërritën në “Camp Nou”, por asnjëri nuk dha performancën e pritshme, përkundër faktit se shpenzimet u rritën në 140 milionë euro. André Gomes (50 milionë), Alcácer (30), Umtiti (25), Digne (16), Cillesen (16) dhe Denis (3) ishin lojtarët që arritën te Barça, e cila nuk e parandaloi dot një katastrofë tjetër në Ligën e Kampionëve. Ky ishte sezoni i përmbysjes historike kundër PSG (6-1), pasi humbi në “Parc des Princes’ 4-0. Ajo humbje në Paris dukej si aksident, por ishte fillimi i një serie humbjesh katastrofike në Europë. Pas asaj përmbysjeje spektakolare, Juve do ta eleminonte Barcelonën, pasi fitoi 3-0 në ndeshjen e pare, në Torino.
Sezoni 2017-2018 – 389 milionë euro Titulli i dytë radhazi i Ligës së Kampionëve për Real Madridin, që gjithashtu fitoi La Liga-n. Largimi i Neymar nga PSG ishte një goditje e fortë për Barcelonën, e cila hyri në merkato e dëshpëruar për të mbuluar boshllëkun e yllit brazilian, që u shit për 222 milionë euro. Bordi i drejtorëve të Bartomeut shpenzoi shumë më tepër nga ato para, që solli braziliani në arkat e klubit: 389 milionë euro! Coutinho (160 milionë, në janar), Dembélé (145), Paulinho (40), Semedo (35) dhe Yerry Mina (9) ishin lojtarët që erdhën te Barça atë sezon. Nga këta pesë lojtarë, vetëm Semedo luajti parmbrëmë kundër Bayern Munich. Coutinho, nga ana e tij, ishte i huazuar tek ekipi rival dhe përfundoi duke shënuar dy gola, si dhe dha një asist në 15 minuta lojë. Këtë sezon, me Valverde në stol, Barcelona do të eleminohej nga Roma, pasi humbi 3-0 në “Olimpico”. Kjo do të ishte nata e parë e madhe e zezë e Barçës në Europë, megjithëse në të vërtetë ishte e treat, pas goditjes kundër PSG (rregulluar në kthim me përmbysje) dhe Juventusit.
Sezoni 2018-2019 – 136 milionë euro Valverde nuk do të bënte përforcime të mëdha, sepse u besua që Coutinho dhe Dembélé do t’i jepnin tjetër fytyrë Barcelonës. Shpenzimet, pavarësisht gjithçkaje, ishin 136 milionë euro për të konsoliduar skuadrën me pesë lojtarë, nga të cilët mbeten vetëm dy. Mbërritën Malcom (42 milionë), Arthur (40), Lenglet (35), Vidal (18) dhe Todibo (1). Malcom nuk është më te Barcelona, Arthur tashmë është transferuar te Juventusi, Todibo u huazua te Schalke. Vetëm Lenglet dhe Vidal luajtën në humbjen poshtëruese 8-2 ndaj Bayernit. Këto shpenzimet nuk e penguan Barçën të zhgënjente përsëri në Ligën e Kampionëve, këtë herë kundër Liverpool-it, 4-0 në “Anfield”, pasi kishte fituar në shtëpi 3-0. Edhe një herë, Champions-i portretizoi një ekip në krizë europiane, megjithëse fitoi La Liga-n. Në Kupën e Mbretit dështoi kundër Valencia, në finale, po ashtu.
Sezoni 2019-2020 – 262 milionë euro Për këtë sezon, Barcelona u përforcua me një nënshkrim galaktik, siç ishte Griezmann, i cili ka qenë një hije, shumë larg vetvetes te Atlético Madridi. Francezi luajti si zëvendësues ndaj Bayernit, mezi “kontribuoi” në turpërimin historik 8-2, në pjesën e dytë. 120 milionë euro u paguan për të, por kampioni i botës më 2018 nuk ishte lojtari i vetëm që arriti te Barça verën e kaluar. De Jong, një nga yjet e Ajax-it, zbarkoi në “Camp Nou” për 85 milionë euro. Po ashtu, Neto mbërriti si portier zëvendësues për 35 milionë, pas një operacioni me Valencia, që mori Cillesen. Pedri nënshkroi gjithashtu për 5 milionë euro, i cili ishte i huazuar te Las Palmas. Pavarësisht nga të gjitha këto përforcime, Barcelona u detyrua të shkonte në tregun e dimrit për të forcuar veten për shkak të dëmtimeve të Luis Suárez dhe Dembélé. Braithwaite, sulmuesi i qendrës së Leganés, nënshkroi për Barçën, pas pagesës së klauzolës: 18 milionë. Sulmuesi danez, siç pritej, nuk luajti asnjë minutë të vetme në katastrofën kundër Bayernit.
Sezoni 2020-2021: 91 milionë euro Për sezonin e ardhshëm, 91 milionë euro janë investuar tashmë, pavarësisht krizës së madhe ekonomike që po vuajnë klubet e futbollit për shkak të Covid-19. Trincao u ble në dimër për 31 milionë euro, ndërsa Pjanic merret nga Juventusi për 60 milionë. Këto 91 milionë euro nuk janë brenda totalit prej 989 milionëve, që ka shpenzuar Barça në pesë vitet e fundit në merkato në hyrje. Pra, shpenzimet në përforcime kanë arritur tashmë shumën e 1.076 milionë eurove që nga 30 qershori 2015. Në shitje, shifra e rimbursuar nga Barcelona, që atëherë, ka qenë 539 milionë euro.