Nga Mero Baze/

Një fëmijë dhjetë vjeçar humbi jetën nga përplasja me auto-ambulancën, mes kaosit dhe nervozizmit në Kakavijë, aty ku njerëzit duhet të presin së paku tre ditë t’i afrohen sportelit të doganës. Familja e tij sot e la radhën e pritjes dhe u rikthye në shtëpinë e vet për të varrosur djalin, i cili mund të ketë qenë dhe motivi i jetës së tyre për të shkuar në Greqi.

Prindërit e tij nuk mund të prisnin asgjë më të rëndë në jetë se kaq, për t’u kthyer në shtëpi dhe për ta hequr nga axhenda ikjen me çdo kusht në Greqi.

Të tjerëve për fat nuk po u ndodh ndonjë fatkeqësi, por shumë vetë janë afër vdekjes. Kam kontaktuar me të afërm të mi që presin në radhë dhe të njohur që kërkojnë ndihmë, qoftë një shishe ujë apo sanduiç, dhe jam i shokuar nga vendimi për të qëndruar në një radhë vdekjeprurëse, për t’i shpëtuar datës 16 gusht, që në fakt nuk po i shpëtojnë dot.

Prej nesër për të shkuar në Greqi duhet të kesh analizat e tamponit negativ dhe një aplikim online, që është kusht edhe sot. Ata që shkojnë nga Shqipëria duhet të karantinohen shtatë ditë.

Ky është motivi që ka shtyrë turmën të krijojë një radhë thuajse vdekjeprurëse dhe të papërballueshme nga të gjitha palët, nga pala greke, pala shqiptare, dhe vetë ata.

Tani beteja për të kapur datën 16 është e humbur. Vendimi për të kaluar gjallë a vdekur para asaj date, është po ashtu betejë e humbur. Deri më tani kemi 1 të vdekur dhe shpresoj mos të shtohen.

Kjo nuk është as një histori racizmi nga grekët, siç përpiqen ta paraqesin “patriotët tanë”, as një histori menaxhimi nga pikat tona kufitare, siç duan ta paraqesin opozitarët tanë.

Nuk është asnjë radhë e zakonshme e përvitshme e ikjes së emigrantëve. Është një krizë e prodhuar, që lidhet me masat greke ndaj pandemisë.

Greqia ka dhjetë ditë që e ka bërë publik njoftimin, e ka bërë në median greke dhe shqiptare, dhe ja ka bërë të qartë çdo emigranti kur ka kalur kufirin. Eshtë historia që po vuan bota prej gjashtë muajsh.

Ne vetë kemi ndaluar shtetasit tanë të ktheheshin në Shqipëri në mes të marsit, edhe pse Greqia i lejonte të kalonin kufirin. Ne i lamë të sakatohehsin në pikat kufitare, derisa i futëm në karantinë. Ishte një leksion i hidhur, por i duhur për masat e çmendura që po aplikonim.

Tani këto masa po i aplikon Greqia. Nuk po i aplikon për inat të Shqipërisë. Shumica e atyre që po dergjen në kufij, janë shtetas grek, me pasaporta greke e me origjinë shqiptare.

Pjesa tjetër janë rezidentë të përhershëm të Greqisë. Pra janë njerëz që jetën e tyre e kanë të lidhur me Greqinë, si qytetarë të saj, dhe Greqia nuk ka pse të jetë raciste me ata që u ka dhënë pasaportë dhe rezidencë të përhershme.

Unë që nuk kam ato letra, nuk shkoj dot fare në Greqi. Pra nuk është një kufizim ndaj shqiptarëve, por shtetasve grek me origjinë shqiptare dhe gjithë të huajve të tjerë perëndimorë, që janë në Shqipëri.

Nuk është histori racizmi, dhe as histori menaxhimi. Prej nesër kjo histori shton një kapitull të ri dhe më shtrëngues. Nëse Kakavija dhe Kapshtica do të lihen në dorë të vendimeve personale të atyre që duan të udhëtojnë në Greqi, mund të gjendemi para një katastofe dhe më të rëndë.

Sonte është nata që ata duhet të shpërndahen dhe të rikhehen në shtëpitë e tyre, pasi rregullat në Greqi nesër janë dhe më të rrepta.

Duhet ta marrin me qetësi, të bëjnë tamponin, të prodhojnë një radhë për kufirin tonë përmes “e-albania” dhe të shkojnë drejt kufirit, vetëm ata që mund ta kalojnë atë brenda ditës.

Çdo patetizëm tjetër, thirrje dëshpëruese, apo delirantë politik që mendojnë se kanë rast të artë të zbulojnë si na poshtëron Greqia, është mirë të vazhdojnë plazhin e të mos provojnë Kakavijën e Kapshticën.

Asgjë nuk është më e shtrenjtë se jeta e njerëzve. Dikush prej tyre mund të ketë halle në Greqi, por jo aq të mëdha, sa të humbasë jetën për to, nëse nuk shkon këtë javë. Mund të shkojë javën tjetër. Asgjë nuk ka për të ndodhur, nëse është gjallë.

Një fëmijë dhjetë vjeç dhe prindërit e tij janë detyruar sot të kthehen në shtëpine e tyre me arkivol në makinë. Mendojeni atë arkivol të gjitha palët, dhe merreni qetë.

Kthehuni në shtëpi dhe nisuni kur të plotësoni kushtet që kërkon shteti grek, i cili është më shumë shteti juaj, se i ne të tjerëve. Në Kakavijë dhe Kapshticë mund t’u japin ujë, sanduiçë, kabina tualeti, po deshët dhe nga ato lojërat “mos u nxeh” që ka prodhuar Ministria e Diasporës për emigrantët, por asgjë nuk mund ta zbusë tmerrin e të ndenjurit tre ditë në diell, për të mos ndenjur gjashtë ditë në karantinë në shtëpinë tuaj në Greqi, për shkak të rregullave të palës greke.