Një grua e re kërkon të sfidojë “diktatorin e fundit të Europës“, presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko në zgjedhjet e së dielës (09.08). Kush është Svetlana Tichanovskaja?
“Unë nuk jam politikane”, kështu e përshkruan Svetlana Tichanovskaja veten në një miting zgjedhor në Bjellorusi. “Unë dua të më kthehet familja ime dhe të skuq sërish qofte.” Një grua shtëpiake që kthehet në shpresëdhënëse. Në zgjedhjet e së dielës, (09.08), 37 vjeçarja konsiderohet si rivalja më e rrezikshme e presidentit autoritar, Aleksander Lukashenko, që kërkon të rikonfirmohet për të gjashtën herë në post.
Tichanosvskaja u bë rastësisht kandidate për presidente. Në të vërtetë Lukashenkon donte ta sfidonte, bashkëshorti i saj, Sergej Tichanovskij, por ai u ndalua që në fillim. Pak para fushatës zgjedhore ai u arrestua nga policia, për shkak të pjesëmarrjes në një demonstratë të palejuar. Kështu ai nuk mund të regjistronte në kohën e duhur ekipin e tij zgjedhor dhe gruaja vendosi spontanisht të dilte në garë.
Svetlana Tichanovskaja për habi u lejua të marrë pjesë në zgjedhje. Bashkëshorti i saj u lirua më vonë, dhe për disa ditë e drejtoi fushatën e saj deri në arrestimin e ri. Që atëherë 41 vjeçari ndodhet në paraburgim. Drejtësia e akuzon atë për dhunë ndaj forcave të policisë. Përkrahësit e tij flasin për një provokim.
Një grua drejtuese e opozitës
Brenda dy muajsh, Svetlana Tichanovskaja ka arritur të bëjë një ngjitje spektakolare. Nuk dihet shumë për të. Ajo vjen nga një qytezë provincë në jugperëndim të ish-republikës së dikurshme sovjetike, ka studiuar gjuhë të huaja dhe ka punuar si përkthyese në Homel, qytetin e dytë më të madh të vendit. Aty ajo u njoh me bashkëshortin. Tani është nënë e dy fëmijëve dhe shtëpiake.
Për politikën ajo nuk treguar ndonjëherë interes, sipas të dhënave të saj. Bashkëshorti i saj, Sergej Tichanovskij ka udhëtuar shumë brenda vendit për videoblogun e tij në fillim të vitit 2019. Si shoqëruesja e tij në këto udhëtime, kam mësuar shumë për vendin, thotë Svetlana.
Pjesëmarrja e një gruaje jashtë politikës në zgjedhjet presidenciale është një eksperiment unik. Por përgatitjet kanë ecur mirë dhe kandidatja e re ka zënë një vend të mirë ndër ata që konsiderohen me shanse në zgjedhje.
Tichanovskaja i mblodhi 100.000 firmat për kandidaturën e saj dhe u lejua në zgjedhje. Ekipi i saj zgjedhor u ndihmua nga dy njerëz të njohur të politikës, kandidaturat e të ciilëve nuk u pranuan: Ish-bankieri, Viktor Babariko dhe ish-diplomati Valreij Zepkalo. Mitingjet zgjedhore të Tichanovskajas tërheqin dhjetëra mijëra vetë – një rekord historik për marrëdhëniet bjelloruse, ku popullsia për një kohtë të gjatë ose ishte pasive ndaj politikës ose e trembur. Presidenti i përhershëm, Lukashenko e cilësoi Tichanovskajan dhe mbështeteset e saj, „të shkretat vajza”.
Programi zgjedhor i saj u zhvillua „në fushatë e sipër”. Kandidatja ka vetëm disa teza qendrore, që janë më të rëndësishmet: pavarësi të Bjellorusisë, liri për të burgosurit politikë, edhe për bashkëshortin e saj, zgjedhje të reja demokratike brenda gjashtë muajsh pas fitores. Pas kësaj ajo dëshiron të tërhiqet nga politika dhe të jetë sërish grua shtëpiake.
Një grua që mëson shpejt
Tek ajo mund të shikosh, se si një njeri i zakonshëm arrin të përballojë një detyrë të jastëzakonshme. Në mitingjet e saj në fillim, Tichanovskaja dukej shumë e pasigurtë, por autentike dhe jo teatrale. Fillestarja e politikës mësoi shumë shpejt, nuk ka bërë gabime të mëdha dhe del më më vetëbesim tani në mitingje. Për çështjet e komplikuara ekonomike apo në politikën e jashtme, ajo e pranon, se nuk është eksperte.
Ajo i mënjanon temat kontroverse dhe kundërgodet kur sulmohet nga Lukashenko. Tezës së presidentit, se kush ka shërbyer në ushtri mund të jetë kreu i shtetit, ajo iu kundërpërgjigj me propozimin, që të lejohen të kandidojnë vetëm nënat. Deri më tani ajo nuk ka lejuar të frikësohet dhe pas një kërcënimi anonim i dërgoi fëmijët e saj jashtë.
Fushata zgjedhore e Tichanovskajas tregon, se shoqëria bjelloruse po ndryshon pandalshëm. Suksesi i saj në një vend, ku dukej se gjithçka ndodhej nën kontroll, i ka habitur shumë vetë. Atmosfera e protestës pas 26 viteve sundim të Lukashenkos duket kaq e madhe, saqë për shumë vetë nuk ka rëndësi, se kush do të jetë presidenti i ri, mjafton të ketë një ndryshim.
Për momentin duket, se Lukashenko ende mund ta mbajë postin, por kritikët dyshojnë që tani në fitoren e mundshme dhe sjellin ndërmend faktin, që nuk do të ketë vëzhgues të pavarur zgjedhor.
Organizata për Bashkëpunim e Siguri në Europë, OSBE, raportimet e së cilës vlerësohen në shkallë ndërkombëtare për neutralitetin e tyre, nuk është ftuar. /DW