- Nga Franak Viačorka/
Është bërë e zakonshme, që historia të shihet si një seri datash specifike dhe periudhash të veçanta. Por jeta e vërtetë, është rrallë aq e sistemuar dhe e rregullt. Në vend të kësaj, perandoritë dhe epokat kanë një prirje të zgjerohen dhe shpërndahen si retë në qiell, duke u përzier dhe shkrirë në mënyra që nxjerrin në pah mangësitë e kronologjive tradicionale.
Një shembull relativisht i fundit i këtij fenomeni, është edhe shembja e Bashkimit Sovjetik. E parë përgjithësisht si një seri zhvillimesh dramatike, që ndodhën gjatë një periudhe relativisht të përqendruar kohore në vitet 1990-1991, ngjarjet e fundit në Bjellorusi, përbëjnë një kujtesë se rënia e BRSS-së është në fakt një ngjarje e vazhdueshme, e cila vazhdon që të diktojë klimën gjeopolitike globale.
Zgjimi kombëtar në Bjellorusinë e sotme, është veçanërisht mbresëlënës, pasi po ndodh në një vend që më parë ishte mbërthyer me më shumë entuziazëm se sa çdo ish-republikë tjetër sovjetike pas traditave, simboleve dhe narrativave të Bashkimit Sovjetik.
Ndërsa Rusia e Putinit ka shkuar shumë larg gjatë 2 dekadave të fundit në rehabilitimin e aspekteve të së kaluarës sovjetike, edhe Bjellorusia e Llukashenkos vazhdoi të përqafonte vizionit etatist dhe praktikat ekonomike të epokës komuniste.
Gjatë mbretërimit të tij 26-vjeçar, presidenti bjellorus e ka kthyer vendin në Bashkimin e tij Sovjetik në miniaturë. Kur u ngjit për herë të parë në pushtet në vitin 1994, Llukashenko i bëri të qarta synimet e tij, duke refuzuar flamurin kombëtar të Bjellorusisë së pavarur, në favor të flamurit kuqe-gjelbër të përdorur gjatë epokës sovjetike.
Ndërkohë u ringjallën shumë aspekte të tjera të jetës së përditshme sovjetike, nga organizatat rinore politike të stilit “Komsomol”, deri tek studimi i detyrueshëm në universitet i Luftës së Madhe Patriotike (Luftës së Dytë Botërore). U vendos një model autoritar qeverisjeje, pa asnjë palë zgjedhje të lira dhe të ndershme që pas fitores fillestare të Llukashenkos.
Ndërkohë, gjuha bjelloruse u margjinalizua në favor të rusishtes, aq sa tani në vitin 2020, gati 90 për qind e fëmijëve bjellorusë mësojnë në shkollë gjuhën ruse. Dominimi i presidentit në peizazhin politik, e bëri të vështirë kundërshtimin e tij në publik.
Por nën sipërfaqe, nisi dalëngadalë të shfaqej një brez i ri bjellorusësh, që nuk donin të kishin të bënin me nostalgjinë e sovjetike të regjimit në fuqi. Gjatë dekadës së shkuar, ky brez u bë gjithnjë e më i zëshëm në jetën publike të vendit. Duke u ndikuar nga rrjetet sociale si Telegram, YouTube, linjat ajrore me kosto të ulët, dhe kultura pop e globalizuar, ata vështirë se mund të tërhiqen më tej për hunde nga autoritarizmi arkaik i Llukashenkos.
Për shumë të rinj bjellorusë të viteve 2000, ëndrra ishte emigrimi jashtë vendit. Por vitet e fundit, kjo tendencë është kapërcyer nga shfaqja e një identiteti të ri bjellorus që përqafon rrënjët e lashta kulturore të vendit dhe trashëgiminë e pasur evropiane, teksa hedh poshtë narrativat perandorake të imponuara nga dekadat e shumta të dominimit rus dhe sovjetik.
Ndaj nuk është për t’u habitur që të rinjtë bjellorusë, po luajnë sot një rol kaq të spikatur në lëvizjen protestuese pro-demokracisë që po shohim aktualisht në vend. Në formimin e këtij identiteti të ri, kanë ndikuar një numër ngjarjesh historike, duke nisur nga Revolucioni i Euromaidanit në vitet 2013-14 në Ukrainën fqinje.
Në atë kohë mijëra bjellorusë shkuan në Kiev për të parë vetë atë po ndodhte. Zgjimi kombëtar i Ukrainës, ndihmoi në gjenerimin e një interesi të paparë mbi kulturën bjelloruse. Pas Euromaidanit, u bë gjithnjë e më e zakonshme të shihnim bjellorusë të veshur me veshjet kombëtare.
Në mbarë vendin u krijuan klasa ku mësohej gjuha bjelloruse. Një tjetër moment simbolik ishte rivarrimi në vitin 2019 i eshtrave të heroit kombëtar bjellorus të shekullit XIX-të, Kastus Kalinuski, që ishte ndër udhëheqësit e Kryengritjes së vitit 1863 kundër sundimit carist.
Kalinuski vlerësohet gjerësisht si babai themelues i Bjellorusisë moderne. I vrarë nga rusët pas dështimit të revoltës së tij, eshtrat e tij u identifikuan në Vilnius në vitin 2019. Ato u rivarrosën përmes një ceremonie të zhvilluar në kryeqytetin lituanez.
Në atë ngjarje morën pjesë mijëra bjellorusë, teksa shumë prej tyre e përshkruan atë si një përvojë që u ka ndryshuar jetën. Perceptimet e ndryshuara mbi identitetin dhe historinë bjelloruse, janë reflektuar gjatë dekadës së fundit nga një peizazh mediatik gjithnjë e më i larmishëm.
Një listë në rritje mediash të pavarura si ”Belsat”, kanë ofruar një qasje të pa çensuruar në historinë bjelloruse. Ndërkohë, kinemaja bjelloruse dhe skenat e artit bashkëkohor kanë luajtur role të ngjashme me ndikim në evolucionin e një identiteti të ri jo-sovjetik.
Gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve presidenciale, figura kryesore e opozitës Svitlana Tikanuskaja dhe kolegia e saj Maria Kalesnikova, nuk e përqafuan në fillim politikën e identitetit kombëtar. Ato u fokusuan më shumë në nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira.
Kjo qasje e kujdesshme, pasqyroi frikën e opozitës nga distancimi i segmenteve të caktuara të publikut, sidomos brezit të vjetër. Gjithsesi, prania në rritje e flamujve bardhë-kuq-bardhë në tubime, pasqyroi rëndësinë thelbësore të çështjeve të identitetit, ndërsa lëvizja pro-demokracisë nisi të forcohej në korrik, para se të shpërthente në fillim të gushtit.
Flamuri kombëtar bjellorus që ka mbizotëruar në protesta, është një simbol i fuqishëm. Ai daton që nga shteti jetëshkurtër i Bjellorusisë në vitin 1918 pas Revolucionit Rus, dhe cilësohet si një emblemë e luftës bjelloruse për pavarësi. Ndërkohë shumë njerëz e konsiderojnë versionin kuqe-gjelbër të flamurit kombëtar të përdorur nga Llukashenko në vitet 1990, si shenjë e një nënshtrimit të tipit sovjetik ndaj Kremlinit.
Ngjarjet e javëve të fundit, janë shoqëruar me anti-protesta nga besnikët e regjimit, që mbajnë flamuj dhe banderola kuqo-jeshile. Këto tubime besnikësh, janë me gjasë pjesë e një fushate të koordinuar nga ekspertët rusë të dërguar në Bjellorusi nga Kremlini që prej datës 9 gusht, në mënyrë që të drejtojnë luftën anti-informative të regjimit të Llukashenkos.
Strategjia e tyre, bart të njëjtat shenja dalluese si ndërhyrja e Moskës në Ukrainë gjatë revolucionit të viteve 2013-2014, duke e vënë theksin tek identiteti sovjetik dhe thirrjet emocionale ndaj vuajtjeve të përbashkëta gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarët e regjimit, përfshirë vetë Llukashenkon, kanë filluar t’i etiketojnë protestuesit opozitarë si nazistë dhe fashistë. Akuza të ngjashme, ishin dikur shtylla kryesore e propagandës sovjetike. Dhe vitet e fundit, ato janë një shtyllë kryesore e sulmeve të Kremlinit ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Taktika të tilla mund të ishin efektive dikur, por jo në Bjellorusinë e sotme. Propaganda e stilit sovjetik, gjen ende jehonë tek disa segmente të shoqërisë bjelloruse, por ajo është kapërcyer nga ngjarjet në terren. Ndryshim i identitetit nga sovjetik në kombëtar, do të komplikojë në mënyrë të pashmangshme marrëdhëniet midis Bjellorusisë së re dhe Rusisë fqinje.
Por kjo nuk do të thotë se duhet të presim një pushtim të afërt rus. Kremlini duket se ka mësuar nga gabimet e tij në Ukrainë, dhe nuk do të preferonte të ndalonte largimin e një tjetri “kombi vëlla” përmes një sulmi ushtarak. Gjithsesi, kjo do të thotë se Rusia mund të pritet të ruajë mbështetjen e saj tashmë të konsiderueshme për regjimin e Llukashenkos.
Moskës i duhet të blejë kohë dhe ta mbështesë Llukashenkon, derisa të gjendet një alternativë e pëlqyeshme ndaj këtij të fundit, që t’i japë mundësi Kremlinin të shmangë një pykë të sikletshme brenda sferës së vet tradicionale të ndikimit. Aktualisht, Rusia duket se ka pak mjete në dispozicion për t’iu kundërvënë zgjimit kombëtar të Bjellorusisë.
Me një kontigjent të vogël rusësh etnikë në Bjellorusi, ajo ka pak hapësirë për të mbështetur lindjen e një narrative tjetër bazuar në joshjen ndaj etnisë ruse. Dhe nuk ka një segment me ndjenja kaq të forta pro-ruse, që mund t’i shërbejë një skenari separatist të ngjashëm me Krimenë ose Donbasin në Ukrainë.
Në vend të kësaj, Kremlini ka të ngjarë të mbështetet tek thirrjet ndaj Pansllavizmit dhe Ortodoksisë. Një tjetër objektiv kryesor, do të jetë minimizimi ose diskreditimi i lidhjeve historike të Bjellorusisë me Lituaninë dhe Poloninë. Por veç ish-perandorisë ruse, këto kombe kanë lidhje të thella historike me Evropën Qendrore.
Me shfaqjen e një identiteti kombëtar të pavarur bjellorus, ne po hyjmë në një fazë të re të rënies së Bashkimit Sovjetik. Tridhjetë vjet pasi perandoria u shpërbë zyrtarisht, dielli më në fund mund të perëndojë edhe në territorin e fundit të mbetur të autoritarizmit sovjetik në Evropën Qendrore.
Ngjarjet në Bjellorusi janë dinamike, dhe është e qartë se vendi nuk do të jetë më i njëjti. Degëzimet e këtij ndryshimi, do të ndjehen në të gjithë rajonin, dhe mund të shpejtojnë përfundimisht aktin përfundimtar të shembjes së Bashkimit Sovjetik edhe brenda vetë Rusisë.
Shënim: Franak Viacorka, gazetar bjellorus me banim në Minsk. Bashkëpunëtor i Këshillit Atlantik.
“Atlantic Council” – Bota.al