Sot PD-ja me anë të Xhemal Gjunkshin, ish- Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare ka kërkuar që Artur Meçollari të vihet në hetim pasi përbën rrezik për sigurinë kombëtare! Ish- zëvendës komandantin e Forcave Detare, të liruar një ditë më parë nga detyra, Gjunkshi e quan si një njeri me vese, hedh akuza se ka vjedhur, se gjobit peshkatarët, se jep grada sipas njohjeve që ka, por duket se nuk ka qenë i këtij mendimi një vit më parë. Teksa sot hedh baltë për figurën dhe profesionalizmit e tij, në 2018 Gjunkshi e ka vlerësuar për përgatitjen ushtarake.
“Unë nuk kam pasur asnjë informacion në lidhje me largimin e tij nga shërbimi ushtarak. SHIU varej nga ministri i Mbrojtjes dhe nuk kishte lidhje me Shtabin e Përgjithshëm. Unë personalisht nuk mbaj mend që të kem lexuar një raport apo informacion që Artur Meçollari ka bërë shkelje të detyrës apo ka bashkëpunuar me agjentura të huaja. Nuk mund ta them këtë, sepse nuk e disponoj këtë informacion. Por si individ dhe si ushtarak, Artur Meçollari ka vlerësimet e mia maksimale, është overqualified, kanë investuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës jashtëzakonisht për kualifikimin dhe trajnimin e tij”, tha Gjunkshi.
Në reagimin e sotëm, Gjunkshi thotë se Meçollari ka pasur takime me atashe të huaj të vendeve që nuk janë në NATO, teksa në 2018 thoshte se nuk ka një informacion lidhur me këtë akuzë, një deklaratë kontradiktore e PD me dy vite diferencë.
“Këto nuk janë çështjet e mia, janë çështje të lidershipit që e ka marrë, sepse nga informacionet që kam unë, pas largimit, Meçollari nuk ka bërë një kallëzim në Gjykatë për largim të padrejtë nga puna. Informacion të plotë për largimin e tij nga detyra ka komandanti aktual i Forcave Detare, zoti Ylber Dogjani, i cili ka pasur dokumentacionin e duhur për këtë rast”, tha gjeneral Gjunkshi. (Shqiptarja.com)