Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka ngritur një tjetër shqetësim në lidhje me përhapjen e virusit, nga sjellja e papërgjegjshme e të rinjve në klubet dhe restorantet në bregdet, ku distancimi social dhe mbrojtja nga COVID-19 duket se është një gjë e panjohur për ta.

Braçe shprehet se në të gjithë këtë harbim të të rinjve, edhe më shqetësuese është sjellja e politikanëve, të cilët në vend që të edukojnë dhe mësojnë rininë se si të mbrohen, bëjnë deklarata që nxisin sjellje të tilla dhe dëmtojnë punën e qeverisë dhe institucioneve në gjobat që vendosin.

“Boll bëre politikë me sëmundjen! Spitali është i fundit! Ndaj boll me politikë kriminale ndaj spitaleve ku ka aq shumë përkushtim, pasion, dashuri, dëshirë, punë e sakrifica sa kurrë nuk i ke parë kund! Kjo sëmundje ka rregullat e saj e as që kanë lidhje me politikën; kanë lidhje me ty si qenie e përgjegjshme e që shpërndan këtë përgjegjshmëri; jo mllef, urrejtje, ligësi, provokime, politikën e ulët të njohur tashmë!”, shprehet Braçe

“Janë të thjeshta rregullat; mbaj distancë fizike, mbaj maskë kur nuk rri dot larg, laj duart! Kaq! Spitali nuk hyn në to! Spitali është i fundit dhe në të gjithë botën është kështu!”, shton Braçe.

“Urdhëro, shihi këto video të së shtunës mbrëma dhe të dielës, vetëm pak ditë më parë, në Jalë, Palasë, Lekurs! Përse nuk u flet këtyre? Çfarë t’u bëjë spitali këtyre e prindërve të këtyre? Ta bëjë qeveria? Po patjetër, por sa ndërhyn qeveria aty ti e quan cenim të lirisë kushtetuese, sa zbaton qeveria masat ligjore aty ti thërret për masa ekstreme të papërshtatshme për realitetin ekonomik!”, thekson Braçe

“Shihi pak shishet e shampanjës që nuk pihen, por spërkasin ajrin, njëri-tjetrin e pastaj pishinën, si realitet ekonomik! Ky është problemi! Spitali do mbahet falë punës e sakrificës së punëtorëve të mjekësisë, por sjellja e tillë është sfidë e ulët ndaj çdo mjeku e infermieri, laboranti, farmacisti, sanitari që rrezikon jetën për të sëmurë prej harbimit apo të infektuar nga kalamajtë e harbimit! Ndaj boll me politikën me sëmundjen! Është e neveritshme!”, tha Braçe.

“Tani kam diçka me tatimet; shihni kuponë ju ke këto vaskat me shishe shampanje?!”, shton ai.