Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, hodhi poshtë pasditen e sotme akuzat e Partisë Demokratike, sipas së cilës është bërë ndalimi i shoferit të bashkisë Arbër Bufi me një sasi kanabisi. Me anë të një deklarate, kryebashkiakja Bufi shprehet se së pari, ka një shpjegim për të gjithë qytetarët e Roskovecit.

Nuk ndodh as sot dhe në asnjë moment që burime njerëzore apo materiale të institucionit të cilin ma keni besuar, të vihen në shërbim të punëve në shkelje të ligjit, u shpreh ajo.

Së dyti, për rastin e ndalimit të Arbër Bufit, shofer i Bashkisë, ka një deklaratë zyrtare nga Policia e Shtetit që nuk ka asnjë lidhje me mashtrimet dhe trillimet e portaleve, të cilat për një like më shumë nuk lexojnë edhe vetë se çfarë shkruajnë.

Së treti, për qytetarin dixhital dhe gjithë të tjerët para dhe pas tij: Me këto gënjeshtra dhe baltë të hedhur, nuk fitoni as një votë më shumë, Roskovecin jo e jo. Dhe e fundit, bashkia do të ndjekë rrugën ligjore të ankimimit për çdo shpifje në lidhje me këtë çështje, shprehet, Majlinda Bufi, kryetare e Bashkisë Roskovec. Ndërkaq, Policia e Shtetit në komunikimin e rastit të goditjes së lëndëve narkotike njoftoi se shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut Fier, për personat që qarkullojnë me automjete që dyshohet se shpërndajnë lëndë narkotike në doza të vogla.