Bundesliga ka vendosur të lejojë tifozët të rikthehen në stadium që prej shtatorit, por pa praninë e fansave kundërshtarë. Federata e futbollit në Gjermani ka vendosur të hapë dyert e stadiumeve për tifozët nëse qeveria jep dritën jeshile.Klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 votuan pro lejimit të tifozëve në stadium duke nisur nga shtatori. Gjithsesi presidenti i federatës gjermane të futbollit, DFL, Kristian Sefert paralajmëron se vendimi është në duart e politikanëve për shkak të krizës nga Covid-19. “Nëse dhe kur tifozët do rikthehen në stadiume nuk është një vendim i DFL por i politikanëve. Prioriteti nuk janë stadiumet plot por shëndeti. Ne nuk duhet të marrim rreziqe të panevojshme por duhet të jemi të kujdesshëm”, tha kreu i federatës gjermane të futbollit, DFL Kristian Sefert.

Federata gjermane ka vendosur edhe disa rregulla për lejimin e tifozëve në stadiume si: jo tifoza kundërshtarë në stadiume deri në fund të 2020, jo alkol në stadiume deri në 31 tetor, në hyrje të stadiumit do mblidhen mjetet identifikuese të të gjithë tifozave.