Nga Çapajev Gjokutaj/

Breshkamadh! Kështu i quan shqipja ushtarët italianë gjatë Luftës së Vlorës dhe pushtimit të viteve 39 – 43.Dil steresë e jo limanit/ breshkamadh, i breshkamadhit, seç e shporrëm breshkamadhin. Ne që hanim qengj e kec, stigmatizonim tjetrin se hante breshkë. Paçka se breshka nuk ishte ushqim tipik i italianeve si pica dhe pasta psh. Paçka se kuzhina dhe higjena jonë mbeteshin ku e ku prapa, po t’i krahasoje me italianen. E megjithatë kjo nofkë ngjan normale. Pushtuesi ngjall urrejtje. Mbase mund të kursehej përbuzja, por kohë lufte ishte dhe lufta nuk para shquan për logjikë, pa le më të shquajë për mirësjellje. Por parë më gjerë të rezulton se shqipja s’është dorëjashtë në qendrime raciste dhe diskriminime gjithfarë llojesh.

Evgjit, arixhi, shkja, llacifaci, llakallaka. Këto e të tjera si këto kanë ngarkesë të theksuar përkeqësuese për minoritete dhe popuj fqinjë. Për të mos folur pastaj për shfaqjet raciste në emrat përkeqësues për të ardhurit në qytete si: çeçen, shkulak, ardhacak. Apo në emra që shënojnë përkatësi krahinore si laluc, malok, katundar. Sot një në tre shqiptarë është emigrant dhe provon diskriminim në një masë apo tjetrën. Vështirë të thuash në se ky pësim do t’i shtojë apo pakësojë ngarkesat raciste në gjuhë dhe në mentalitet.