Që prej fillimit të këtij viti e gjithë bota po përballet me COVID-19 dhe të gjitha autoritetet, qeveritë dhe institucionet janë të angazhuara në luftën kundër përhapjes së këtij virusi.

Ambasada Japoneze në Shqipëri thotë se stafi dhe punonjësit e institucionit vijojnë përpjekjet për të ulur rrezikun e infektimit.

“Për mjekësinë dhe shëndetësinë, si sektorë të një rëndësie të veçantë, Japonia mbetet e gatshme, që në vijim të bashkëpunimit mes dy vendeve, të mbështesë Shqipërinë për t’iu përgjigjur nevojave të institucioneve”, tha Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Ito Makoto.

“Ditët e fundit, në Shqipëri, numri i të infektuarve është rritur. Duke qenë në këto kushte na është dashur të ndërmarrim një sërë masash të nevojshme për të bërë të mundur që puna, duke përfshirë edhe sektorin konsullor, të vazhdojë normalisht. Stafi i ambasdës vazhdon përpjekjet për të ulur rrezikun e infektimit. Deri më tani Ambasada i ka ofruar autoriteteve shqiptare, pajisje mjekësore të ndryshme për institucionet dhe klinikat që janë në luftë kundër përhapjes së korona virusit”, njofton ambasadori i Japonisë në Shqipëri.

“Për shkak të situatës aktuale, si Japonia ashtu edhe vënde të tjera të botës nuk kanë patur mjaftueshëm efikasitet në këtë sfidë por unë besoj fort se së shpejti kësaj pandemie botërore do i vi fundi me anë të mjekimeve dhe të gjetjes se një vaksine efektive, kështu ne do të jemi në gjendje të rinisim shkëmbimet e ndërsjellta dhe aktivitetet kulturore për të nxitur e forcuar marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona”, tha ai.