Megjithë treguesit në rritje të të infektuarve me COVID-19 dhe numrin në rritje të të shtruarve në dy spitalet covid, çdo ditë vazhdon të vërehet një shpërfillje e qytetarëve për masat mbrojtese ndaj infektimit nga virusi. Farida Ramadani, mësuese dhe autore e disa librave, thotë se pas disa muaj izolimi dhe masave kufizuese për mospërhapjen e virusit, tashmë njerëzit kanë nisur të ndjehen të lodhur.

“Ka ardhë një moment që jemi lodhë duke ndigju lajmet në televizor, duke dëgju informacione. Po, derisa asht një problem global dhe derisa statistikat tregojnë shifra gjithnjë e më të madhaja, duhet një kujdes nga të gjithë. Por, më duket se ka ikur intesesi dhe nuk po e vlerësojnë siç duhet. Duhet ndoshta më tepër sensibilizim, ndonjë punë ma bindëse me njerëzit, sepse nuk po e kuptojnë, sidomos nëpër kafene, nëpër tubime të mëdhaja”.

Pranvera Paci dhe Samuela Çelaj janë dy studente, pjesë e një grupi të madh të rinjsh të përfshirë prej 5 muajsh në nismën “Eja dhe ti”, nismë kjo që synon mbështetjen gjatë periudhës së pandemisë të 150 familjeve me përsona të vetmuar.Të dyja studentet u nderuan këto ditë me çertifikata mirënjohje për vullnetarizmin gjatë kohës së pandemisë. Samuela, studente e degës së infermierisë në Universitetin e Shkodrës, thotë se situata është problematike dhe se shumica e njerëzve nuk po i respektojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19.

“Janë të paktë ata që i shikojmë me maska apo doreza duke respektu masat mbrojtëse. Kisha thanë që të sensibilizohena të gjithë dhe t’i respektojmë rregullat, sepse është ba shumë serioze situata dhe nuk asht për tu marrë si lojë. Në monentin që u ndodh tek shtëpia, atëherë sensibilizohen, por asht pak vonë, Prandaj të mbrojmë vehten që të mbrojmë edhe të tjerët, sepse nuk rrezikon vetëm ti, por rrezikon edhe shoqëria përrreth teje”.

Ndërsa Pranvera, studente e drejtësisë, thotë se përvoja me familjet në nevojë e ka bërë të kuptojë se qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjësuar për pasojat që sjell shpërfillja e masave mbrojtëse jo vetëm tek të moshuarit, por edhe tek të rinjtë.

“Na vjen shumë keq pasi atje kemi zbulu se shumë pleq janë të vetmum dhe janë lanë në harresë. Por ka edhe pleq që kanë fëmijët në emigracion dhe ne u jemi gjetë afër. Kemi pasë edhe ne frikën se mund të infektohemi nga virusi, po ashtu edhe se mund t’i infektojmë të moshumit. Por fati ynë e ka dasht që mos me u infektu as ne dhe as ata. Normalisht, duke ba edhe tamponët. Unë vetë kam qenë e para që kam ba tamponin dhe kam dalë negative”.

Shkujdesja ndaj masave mbrojtëse ndaj COVID-19 është e dukshme në veprimtaritë që kanë nisur të organizohen në qytet, pjesëmarrjen në ceremonitë familjare dhe mortore, por edhe rradhët para bankave apo institucioneve të tjera të shërbimeve publike.

Shkodra vazhdon të jetë rajoni i trete në Shqipëri për nga përhapja e COVID-19 me rreth 470 të infektuar dhe me 280 raste aktive.