Shteti i Katarit vijon mbështetjen e tij për sistemin shëndetësor në Shqipëri, duke dhuruar nëpërmjet Zyrës së Qatar Charity në Tiranë, një sasi pajisjesh mjekësore moderne me kualitet të lartë, të cilat do të shërbejnë në luftën kundër pandemisë COVID–19. Këto pajisje u dorëzuan dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në ceremoninë e dorëzimit ishin të pranishëm e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Katarit, Nada Abdul Rahman Al-Sayed dhe Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli. Me këtë rast palët nënshkruan marrëveshjen e pranimit të pajisjeve, e cila u firmos nga drejtori i Zyrës së Qatar Charity, Sheuki Abu Saif dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Geraldina Prodani.
Gjatë takimit, e Ngarkuara me Punë theksoi se ndihma e sotme vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që Katari i ka ofruar Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, ku më 14 maj 2020 mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës një dërgesë me ndihma urgjente mjekësore dhuruar nga Fondit Katarian për Zhvillim. Kjo mbështetje tregon marrëdhëniet solide dhe miqësore midis dy vendeve, – tha e Ngarkuara me Punë, duke shtuar se Ambasada nuk do të kursejë asnjë përpjekje për t’i zhvilluar dhe forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral, në interes të dy vendeve dhe popujve miq. Gjithashtu, Nada Al-Sayed vlerësoi rolin dhe kontributin e Zyrës së Qatar Charity në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, duke shpërndarë ndihma për familjet në nevojë në të gjithë vendin, krahas aktiviteteve të tjera humanitare që ka zhvilluar ndër vite në Shqipëri. E Ngarkuara me Punë tha se “Shteti i Katarit do ta përkrahë gjithmonë Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar, sidomos në periudhat e vështira si kjo që po kalon e gjithë bota sot”. Ajo shprehu ngushëllimet për viktimat e Coronavirusit dhe u uroi shërim të shpejtë të prekurve, sikurse uroi që Republika e Shqipërisë ta kapërcejë sa më shpejt situatën e tanishme të pandemisë dhe efektet e saj shëndetësore dhe ekonomike. Nga ana e saj, Zv. Ministrja e Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale shprehu falënderimet dhe vlerësimet e saj të thella për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Katari në të gjitha fushat, përfshirë edhe shëndetësinë, e veçanërisht ndihmat e fundit mjekësore të ofruara gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
“Pajisjet mjekësore të dhuruara sot nga Katari rrisin kapacitetet e sistemit shëndetësor shqiptar dhe përmirësojnë më tej shërbimet mjekësore për qytetarët tanë” – tha ajo, duke theksuar se pajisjet kanë ardhur në kohën e duhur për t’u përballur me fluksin e koronavirusit në vend. Rakacolli vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të Ministrisë së Shëndetësisë me Ambasadën e Katarit dhe Zyrën e Qatar Charity në Shqipëri dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.Pajisjet mjekësore të dhuruara nga Katari me një vlerë totale prej 300 mijë USD.