Departamenti Amerikan i Shtetit ka shfuqizuar udhëzimin për shtetasit amerikanë, që të mos udhëtojnë jashtë vendit për shkak të rrezikut të infektimit nga koronavirusi. Kjo masë ishte në fuqi prej 22 Marsit, kur ashtu si në gjithë globin hynë në fuqi rregullat e reja kundër përhapjes së COVID-19.
Departamenti publikoi një rregullore të re, ku jepen rekomandime të veçanta në secilin shtet të botës, duke i renditur në 4 kategori, ku e katërta përfshin vendet me rrezikshmëri të lartë dhe u rekomandon shtetasve amerikanë të mos udhëtojnë drejt tyre.
Shqipëria renditet në kategorinë e tretë, në të cilën shtetasve amerikanë u rekomandohet të rishikojnë udhëtimet. Kjo nënkupton shmangien e udhëtimeve që nuk janë të domosdoshme. Në kategorinë e tretë renditen shumica e vendeve europiane.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova renditet në kategorinë e 4, më të lartën për nga rrezikshmëria, për shkak të numrit më të lartë të të prekurve.
Për shtetasit amerikanë që kthehen nga Shqipëria e vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, rekomandohet tranziti përmes shteteve të hapësirës Shengen, të cilat konsiderohen si vende me sistem efektiv kontrolli për infektimin me COVID-19.