Nga Roel Korkuti/
Publikimi vjetor i Instat mbi burrat dhe gratë risjell edhe njëherë në vëmendje hendekun e madh gjinor që ekziston në vendin tonë. Disa aspekte të “barazisë gjinore”, togfjalësh tashmë i famshëm në betejën e grave dhe vajzave për një jetë sa më dinjitoze, janë përkeqësuar krahasuar me vitin e mëparshëm. Ne do të analizojmë disa nga gjetjet kryesore të këtij raporti por edhe shifra të tjera në këtë drejtim. E fillojmë me pagat.
Është “shteti” ai që disk rimi non Një prej indikatorëve më të saktë të hendekut gjinor është pikërisht ai në paga. Sipas Instat, në vendin tonë, hendeku në paga mes burrave dhe grave fiksohet në rreth 10%, në favor të burrave. Por, ajo që bie në sy nga shifrat është se, “shteti” diskriminon më shumë, edhe mbi mesataren kombëtare. Gratë të cilat janë pjesë e administratës publike paguhen 13.7% më pak se burrat, thonë të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Pas sektorit të prodhimit, sektori publik është i dyti për hendekun më të madh gjinor në paga. Madje, të dhënat tregojnë se nga viti 2018 në 2019-ën, hendeku gjinor në paga në “shtet” është rritur ndjeshëm, nga 10.1%, në 13.7% në vetëm një vit, çka sinjalizon një tendencë alarmante.
Ndërkohë, në sektorin publik, 55% e punonjësve janë gra dhe vetëm 45% burra, çka sinjalizon se, hendeku gjinor në paga në këtë sektor është rrjedhojë e faktit se, burrat mbajnë poste drejtuese e me paga të larta më shumë se gratë. Për bizneset e zakonshme, si tregtia, hoteleria apo shërbimet private hendeku gjinor zbret në vetëm 2.4%, thonë të dhënat e Instat.
Gratë shpenzojnë për shtëpinë, burrat për qejf Gratë dhe burrat kanë një qasje të ndryshme ndaj shpenzimit të parave. Të dhënat më të fundit të Instat tregojnë se familjet ku kryefamiljari është burrë shpenzimet fiksohen në rreth 78 mijë lekë në muaj, ndërsa ato ku ka kryefamiljare grua, janë vetëm 64 mijë lekë në muaj, pra rreth 22% më pak. Shpenzimet totale mujore sipas gjinisë së kryefamiljarit janë padiskutim rrjedhojë edhe e të ardhurave më të ulëta për gratë. Hendeku gjinor në paga në vendin tonë fiksohet në rreth 10%. Pra, diferenca totale prej rreth 22%, nuk shpjegohet vetëm me të ardhurat më të ulëta mes dy gjinive, por edhe me faktin se gratë janë më “nikoqire” në shpenzime. Për të analizuar këtë duhet të shohim sesi i shpenzojnë paratë të dyja gjinitë. Shenja e barazisë në shpenzime vihet vetëm në zërin e shpenzimeve për banesë dhe fatura ujë, drita, etj., me rreth 7900 lekë secila gjini. Në të gjitha zërat e tjerë, burrat kryefamiljarë shpenzojnë më shumë se gratë. Diferencë e vogël vihet re edhe në zërin e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, me 34 mijë lekë për burrat dhe rreth 30 mijë lekë për gratë, pra rreth 13% diferencë.
Edhe në arsim diferenca është e ulët, me rreth 11%. Burrat shpenzojnë më shumë se gratë në vlerë absolute për transportin, 120% më shumë se gratë kryefamiljare, restorante dhe hotele, rreth 44% më shumë, pije alkoolike dhe duhan, 71.5% më shumë, argëtim dhe kulturë, 31.2% më shumë apo veshje, rreth 30% më shumë. Siç vihet re qartë edhe nga shifrat, diferenca është më e vogël në zërat e shpenzimeve të domosdoshme për një jetesë bazë, ndërsa thellohet ndjeshëm tek ato kategori që mund të klasifikohen edhe si luks, pra jo të domosdoshme, si alkool, duhan, restorante, veshje, etj. Duke qenë se diferenca në shpenzime mes burrave dhe grave justifikohet vetëm pjesërisht nga hendeku në paga, shifrat sinjalizojnë se gratë kryefamiljare kursejnë në muaj më shumë se burrat kryefamiljarë.
Gratë shofere, vetëm 1/3 e patentave të reja shkojnë për to Por ka edhe të dhëna të tjera, sidomos indikatorë socialë të cilët tregojnë se gratë janë shumë larg burrave në disa “të drejta”. Një ndër to është edhe ajo e të ngarit të makinës. Gjatë vitit të kaluar, vetëm 33.6% e totalit të lejeve të drejtimit të lëshuara në vendin tonë kanë qenë për gra apo vajza, pra rreth 1/3 e totalit, çka sinjalizon mentalitet ende diskriminues ndaj grave dhe vajzave. Por cilat qytete janë ato më pak fanatiket dhe ato më fanatiket karshi vajzave shofere? “SCAN Magazine” ka përpunuar të dhënat e publikimit të fundit të Instat për burrat dhe gratë duke përpiluar një listë sipas qarqeve të vendit sipas raporti gjinor të patentave të reja të lëshuara në 2019 në atë qark. Paçka se Instat i referohet me qarqe ose prefektura, në të vërtetë bëhet fjalë për drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor, pasi në listë figurojnë si qarqe edhe Saranda apo Laçi, të cilat nuk janë qarqe.
Në vend të parë qëndron kryeqyteti, ku gjatë vitit të kaluar, 41.4% e lejeve të reja të drejtimit ishin për gra apo vajza. Më pas ndjek Durrësi me 38%, Shkodra me 36.6% dhe Vlora me 34.5% të totalit të lejeve të drejtimit të lëshuara. Në vend të katërt ndjek Laçi me 32.4%, më pas Saranda me 31.2%, Elbasani me 30%, Fieri me 25.9%, Kukësi me 25.8%, Gjirokastra me 25.4% dhe Korça me 23.2%. Dy qytetet e fundit të listës, ndërkohë, janë Berati me 21.5% dhe Dibra e vendit të fundit me vetëm 18.6% të lejeve të reja të drejtimit për gra apo vajza.
Ku ka më shumë femra sipërmarrëse? Me thuajse 1/3 e sipërmarrjeve që kanë pronare/drejtuese femra, Tirana është padiskutim qarku i parë në Shqipëri me normën më të lartë të femrave sipërmarrëse. Kjo normë për kryeqytetin fiksohet në 32.4%, thonë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave në vendin tonë. Pas Tiranës ndjekin Lezha, Durrësi dhe Vlora. Në krahun e kundërt të tabelës, ndërkohë, pra qytetet me normën më të ulët të sipërmarrësve femra kemi Beratin, Fierin dhe Korçën, që zbresin deri në 17.5% në rastin e Beratit, që është edhe qarku më pak miqësor me femrat sipërmarrëse.
Ndryshe nga klasifikimi i sipërmarrjeve për numër banorësh, ku jugu mbizotëronte në shpirtin sipërmarrës, krahasuar me veriun e vendit, e madje me diferencë të ndjeshme, në këtë listë, pra atë të hendekut gjinor në sipërmarrje, veriu është shumë përpara jugut. Për qarqet e rajonit verior, norma e sipërmarrjeve që drejtohen nga femrat fiksohet në 25.2% të totalit, ndërsa për qarqet e rajonit jugor zbret në 19.8%. Mesatarja kombëtare flet për një normë në 25.4%, ç`ka do të thotë se ¼ ndërmarrje ka pronare/drejtuese femër.
Të barabartë të paktën në vdekje Kur flasim për barazinë gjinore, Shqipëria është një vend i paradokseve të mëdha. Shumë organizma të ndryshëm ndërkombëtare e vlerësojnë Shqipërinë në këtë drejtim, ndërkohë që të tjerë, si Organizata Ndërkombëtare e Punës, apo OKB thonë se gratë shqiptare bëjnë nga 6 deri në 8 orë në ditë punë shtëpie, ndërsa burrat më pak se një orë. Por, së fundmi, të dhënat e Eurostat tregojnë se, një element thuajse i vë në peshore dhe ky element është vdekja. Të dhënat e Agjencisë Europiane të Statistikave, që i referohen jetëgjatësisë në Europë, tregojnë se pabarazia gjinore është mjaft e lartë në kontinentin e vjetër, deri në 10 vite për disa shtete, ndërkohë që mesatarja fiksohet në 5.2 vite, në favor të femrave. Në asnjë vend europian meshkujt nuk jetojnë më gjatë se femrat, por hendeku gjinor varion. Shqipëria mban rekord të padiskutueshëm në kontinentin e vjetër, me vetëm 3 vite hendek gjinor në jetëgjatësi në favor të femrave. Pra, femrat në Shqipëri jetojnë mesatarisht 3 vite më gjatë se meshkujt, si asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër. Në Bashkimin Europian në krye të listës qëndrojnë Holanda, Suedia dhe Britania, me një hendek gjinor në 3.2, 3.3 dhe 3.6 vite. Shqipëria është më mirë se të treja këto shtete, duke bërë që të paktën në vdekje, të jemi sadopak të barabartë.(scan)