Plani i ri i menaxhimit të “Syrit të kaltër”, një nga atraksionet turistike më të bukura të Jugut të Shqipërisë, synon të rrisë diversifikimin dhe impakt ekonomiko turistik të gjithë zonës.
Bankës Botërore, në dokumentin që i referohet projektit të zhvillimit të integruar urban dhe të turizmit në disa rajone në vend, sa i takon “Syrit të kaltër”, shprehet se “qeverisë i është dorëzuar tashmë një plan për menaxhimin e këtij monumenti natyror dhe se miratimi ka mbetur peng i situatës së shkaktuar nga koronavirusi”.
Plani i Menaxhimit përcakton zonat brenda zonës së mbrojtur “Syri i kaltër” në zona, përfshirë këtu aktivitetet e mundshme të turizmit që nuk do të shkaktonin dëm në integritetin e zonës së mbrojtur, apo do të lejojë shërbime të freskimit për turistët, që nuk prekin vlerat natyrale, po nga ana tjetër ndihmojnë në zhvillimin e turizmit multidimensional.
Çdo vit sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, “Syrin e kaltër” e vizitojnë në sezonin turistik veror mbi 100 mijë vizitorë, sipas librit të vizitorëve. Zbatimi i një plani Menaxhimi sipas BB pritet që të sjellë një vlerë të shtuar për këtë zonë.