Në Xarrë të Konispolit janë 800 hektarë tokë të mbjella me 500 mijë pemë frutore, nga të cilat fermerët e zonës sigurojnë çdo vit plot 30 mijë ton prodhime, 20 mijë prej të cilave shkojnë për eksport. “Në Xarrë, të Konispolit, aty ku djerrinat e deridjeshme të tranzicionit, janë kthyer në shembëlltyrën rrezatuese të transformimit të bujqësisë, që nuk e shohin vetëm ata që nuk duan dhe që e mohon vetëm kush Shqipërinë e njeh e gjykon veç nga ekranet e portalet, ku s’ka vend për punët e mira të këtij vendi”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama. Në këtë zonë që dëshmon më së miri suksesin e prodhimit vendas, Rama tha se “po vijojmë t’u garantojmë fermerëve mekanikë të re bujqësore të standardeve europiane, falë edhe mbështetjes nga programi IPARD përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural”.

“A ka mundësi që disa miq komentatorë të postimeve me prodhimet bujqësore, që shkruajnë se këto “hidhen në lumë”, ta mësojnë që në fakt jo, Shqipëria eksporton sot më shumë se asnjëherë më parë dhe aktualisht importon më pak se deri dje, pikërisht sepse prodhimi bujqësor është rritur në sasi e në cilësi? Ky është fakt, do s’do kush nuk do”, shtoi Kryeministri.Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, Frida Krifca dhe zv/ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, ishin sot në Xarrë të Konispolit për të lidhur kontratat me fermerët përfitues të thirrjes IPARD, për mekanikën bujqësore.“Janë rreth 7 subjekte aplikantë të programit IPARD 2 që janë gati për të lidhur kontratat për mekanikën bujqësore. Ndërkohë që ne, nga thirrja e parë deri tani kemi 41 kontrata të programit IPARD për mekainikë bujqësore. Janë rreth 1.9 milionë euro, një financim që ka kohë që nuk jepej në këtë drejtim. Me shumë rëndësi të evidetojmë se si mekanika bujqësore ka mundësinë të transformojë pjesën e rendimentit”, tha Krifca. Ajo u shpreh se “i bëjmë këto investime se duam që realsiht të jemi shumë më konkurentë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare me produktin shqiptar “Made in Albania”, që të jetë në një cilësi superiore, të rrisim eksportet, të rrisim punësimin dhe të rrisimin gjithë vlerën që krijohet në zinxhirin nga prodhuesi deri tek blerësi përfundimtar”. Ndërsa Kote theksoi se “këtu punësohen rreth 1200 punëtorë dhe dita e punës së punëtorëve këtu ëshë 20 mijë lekë të vjetra”. “Dita e punës dhe punëtori që punon si mekanizator merr gati 35 mijë lekë, mjeshtrat e krasitjes marrin 40-50 mijë lekë të vjetra në ditë. Mjetet që këta kanë marrë janë nga kompanitë më bashkëkohore që janë sot në Europë”, tha Kote.