Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, në të cilën ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë shqiptare, në lidhje me pandeminë e Covid-19. Në mesin e serisë së akuzave për gjendjen e Shëndetësisë, të përsëritura tashmë shumë herë nga vetë ish Ministri i Shëndetësisë, doktor Vasili, ka akuzuar qeverinë se po bën propagandë, dhe se nuk duhet t’u drejtohet qytetarëve me shprehje të tilla “si kohë të vështira na presin”.
“Nuk mund të flitet kështu”, tha Vasili, por duhet të jepet llogari pse jemi në këtë gjendje, ndërkohë që bota ka dalë nga pandemia “dhe i është rikthyer normalitetit jetik ditor”. Që bota ka dalë nga pandemia, për këtë mund të jenë të vetëdijshëm vetëm në zyrat e LSI-së. Sepse në ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për një shtim të numrit të rasteve kudo në botë. Ndërkohë që Vasili – të cilin nuk e kemi parë një herë të vetme me maskë, e as e kemi dëgjuar t’u bëjë thirrje qytetarëve për kujdes – shpall fundin e pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar 2000 të vdekur vetëm në 24 orët e fundit.
Ndërkohë që, vendet e rajonit, si Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Rumania, apo Mali i Zi vazhdojnë të shënojnë një rritje të madhe të numrave të të vdekurve dhe të të infektuarve. Vetëm 4 orë para se Petrit Vasili të dilte në konferencën e shtypit, ku shpalli fundin e pandemisë, Britania e Madhe kishte shtuar listën e vendeve, shtetasit e të cilëve duhet ët futen në karantinë, për shkak të rritjes së numrave të të infektuarve.
Ndërkohë e përditshmja The Guardian, në një raportim të fundit, shkruante se shtetet e Evropës po përgatiten për një valë të dytë, dukshëm të painformuar për parashikiimet e doktor Vasilit në Shqipëri. E njëjta gjë për qeverinë spanjolle, e cila është detyruar të fusë sërish në izolim rajone të tëra, si ai i Katalonjës. Ndërkohë, BBC në një raport të sotmin shkruan: “Rastet e koronavirusit po rriten përsëri në Evropë. Disa vende në të gjithë Evropën kanë raportuar një rritje të rasteve kohët e fundit, teksa komitetit shkencor në Francë ka paralajmëruar se valë e dytë e virusit në vjeshtë ose dimër është “shumë e mundshme”. OBSH thotë se infeksionet në rritje në mesin e të rinjve mund të jenë shkaku i shpërthimeve të fundit, teksa Spanja ka parë rritjen më të madhe, ndërkohë që Polonia ka raportuar rritje të rekordeve në ditët e fundit dhe shumë shtete kanë rikthyer izolimet lokale”. Duket qartë, se asnjë prej autoriteteve shëndetësore në Evropë dhe në botë, nuk është konsultuar ende me ish Ministrin e Shëndetësisë të LSI-së, i cili mendon se Shqipëria është i vetmi vend ku pandemia e Covid-19 vazhdon, ndërkohë që kudo në botë ka marrë fund.