Me rritjen e temperaturave, Partia Demokratike ia ka dorëzuar çelësat e (dez)informimit, “doktorit” piroman, që thotë se ka diplomë në mjekësi por nuk e ka përdorur asnjë ditë. Udhëheqësi i zjarrvënësve të shkollave në Shkodër, ka filluar të zbatojë metodat e disa portaleve dhe rrjeteve sociale pranë Partisë Demokratike, të cilat kanë të njëjtën metodë pune, si dhe kjo që ka filluar të aplikojë “doktori” i zjarreve. I shkruajnë një herë vetes në Whatsapp, Facebook apo Instagram, dhe pastaj denoncimin e shndërrojnë në lajm. Një metodë, origjina e të cilës mund të gjendet tek qytetarët, mësuesit, punëtorët, emigrantët dixhitalë të kryedoktorit të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
Në denoncimin e sotëm, i ndarë si gjithmonë këto ditë nga Partia Demokratike, pa kaluar në asnjë filtër të të vërtetës, piromani Bardh Spahia ka akuzuar për mungesë antiviralësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”. “Prova” e fortë është mesazhi, i paverifikuar nga askush, që i ka shkuar Spahisë në Whatsapp. Mesazh që informon Bardh Spahinë se në Spitalin “Shefqet Ndroqi” nuk ka antiviralë. Në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, na thonë se zotërojnë të gjitha medikamentet e përfshira në protokollet mjekësore që po përdoren sot si aty, si në Spitalin Infektiv, për pacientët me Covid-19. “Nuk e dimë nga e kanë nxjerrë këtë mungesë”, shprehen nga ky spital, sepse ne jemi të furnizuar me të gjitha medikamentet që nevojiten.
Ditët e fundit, “doktori” që ka mbetur në PD ka shtuar numrin e denoncimeve për shëndetësinë, një sektor në të cilin ka punuar në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, si zëvendës ministër. Një kohë në të cilën shëndetësia shqiptare pësoi një degradim të ngjashëm me retorikën dhe komunikimin që përdor sot “doktor” zjarri.