Një tjetër postim me lajme të rreme, nga ato që tanimë janë bërë të zakonshme në faqen e ish kryeministrit Sali Berisha, është bërë publik gjatë ditës së sotme. Teksa i referohej vizitës së kryeministrit Rama në një therrtore të financuar nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Berisha shkruante se therrtorja në fjalë ishte financuar vetëm nga qeveria e tij para vitit 2013 dhe se shfaqja e Ramës aty ishte një mashtrim.

Në fakt e vërteta rezulton krejt ndryshe nga sa Berisha shkruan. Lexo.al ka siguruar dokumentacionin që provon se subjekti “Mnela” shpk, është financuar dy herë prej vitit 2014, prej qeverisë Rama përmes Agjencisë së Zhvillimi Bujqësor dhe Rrural për ndërtimin e therrtores dhe më pas për pajisjen me makineri. Siç provojnë këto urdhër-shpenzime , “Mnela” shpk është financuar në vitin 2014, nga qeveria Rama përmes AZHBR me fondet e buxhetit te shtetit për ndërtim thertore, me një vlerë të disbursuar prej 15,000,000 Lekësh. Për këtë financim, është lidhur kontrata në 15 Korrik të vitit 2014. Sërish në vitin 2015, ky subjekt financohet përmes AZHBR me lekët e buxhetit të shtetit për makineri dhe pajisje për therrtoren me një vlerë të financuar prej 19,902,573 Lekësh. Për këtë financim të dytë kontrata është lidhur në 19 Qershor të vitit 2015.

Siç duket edhe nga ky fotografim ajror i zonës ku është ndërtuar therrtorja, përpara vitit 2014, kohë për të cilën Berisha pretendon se ka financuar ndërtimin e therrtores, godina pothuajse nuk ekzistonte. Siç shihet qartë nga pamjet, pas vitit 2014, është ngritur një godinë e përmasave të konsiderueshme për një therrtore me standarde bashkëkohore.

Link dokumentet: https://lexo.com.al/wp-content/uploads/2020/08/5.pdf