Zbardhet drafti i Ministrisë së Arsimit për vitin e ri shkollor. Ministria e Arsimit njofton se ka tre skenare për zhvillimin e mësimit, teksa mësohet se do hiqen testimet në disa lëndë dhe mësimi online do të jetë pa nota.
Sipas draftit mësimi do të zhvillohet me 4 turne, deri në orën 19:45 të mbrëmjes. Ndërsa orët mësimore do të zhvillohen nga 25 deri në 45 minuta. Report Tv ka siguruar draftin e plotë të Ministrisë, në të cilën janë përcaktuar qartë se si do zhvillohet mësimi dhe detyrat të të gjithë aktorëve kryesorë në këtë proces që nga drejtoria e shkollës deri tek sanitarja, por edhe te prindërit si një nga hallkat më kryesore.
Skenari i parë është që mësimi të zhvillohet në ambientet e shkollës dhe është më tepër i zbatueshëm për shkollat në zonat rurale, ku numri i nxënësve në klasa nuk është më shumë se 20. Në këtë rast është i mundur distancimi fizik dhe mësimi do të zhvillohet me një turn ku një orë mësimi do të zgjasë 45 minuta. Ndërkohë, sa i përket shkollave që kanë shumë nxënës mësimi do të bëhet me dy turne me nga 30 minuta mësim. Në rast se nuk mund të ruhet distanca mes nxënësve edhe pas ndarjes së tyre në 2 turne, atëherë shkolla do të jetë e hapur edhe gjatë pasdites. Pra, nxënësit do të zhvillojnë mësimin 4 nënturne, pra me dy nënturne brenda një turni.
Për turnin e parë: ndajnë çdo klasë në dy grupe: -grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45; -grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45. Për turnin e dytë: ndajnë çdo klasë në dy grupe: -grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45; -grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45.
Gjatë orëve të paradites do të bëjnë mësim klasat e ciklit fillor. Skenari i dytë është që mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë). Nga mësimi online nuk do të ketë vlerësime me nota.
Skenari i tretë është mësimi online dhe ky do të jetë në zbatim vetëm nëse situata e shifrave me COVID do të ketë përkeqësime. Ora e mësimit do të jetë 25 minuta ne dy orë të njëpasnjëshme.