Nga Endri Kajsiu/
Partia Demokratike, e gjendur bosh në këto ditë gushti, ka filluar të shpërndajë pa asnjë filtër, marrëzitë që hedh në Fejsbuk Bardh Spahia. Ish zëvendësministrisi i Shëndetësisë, që thotë se ka diplomë doktori, por më shumë mbahet mend për djegien e shkollave në Shkodër, ka dy ditë që bën zbulime “sensacionale”, nga ato që vetëm logjika e tij, nën ndikimin e vapës së gushtit, mund t’i pranojë. “Zbulimi” më i fundit i Bardh Spahisë ka të bëjë me testet. “Doktori” që pjesën më të madhe të kohës e kalon në faqen ku qeveria boton tenderat, ka hedhur akuza se testet nuk janë të besueshme, për shkak se ai ka bërë një ballafaqim mes rezultateve që ISHP i ka dhënë një qytetari kohë më parë, dhe testeve serologjike që ka bërë qytetari në një spital privat. Dhe sipas Spahisë dhe Partisë Demokratike, kjo vërteton se testet nuk janë të besueshme dhe se ato nxjerrin rezultate jo të vërteta.
Ne pyetëm pranë INstitutit të Shëndetit Publik, për të mësuar më shumë në lidhje me akuzat që ka hedhur Partia Demokratike, me gojën e Spahisë. Ekspertët e shëndetit publik pranë këtij institucioni, të indinjuar tej mase, shprehen se fjala u duhet lënë profesionistëve dhe se e fundit gjë që nevojitet në këtë situatë pandemie, është politika dhe deklaratat politike pa pikë baze, si kjo e Spahisë. “Çfarë t’i shpjegojmë ne zotërisë?”, thotë një prej ekspertëve në ISHP.
Që askund në këtë planet nuk bëhet një krahasim mes testimit serologjik dhe atij PCR, për të mbërritur në konkluzione si këto? “Apo t’i shpjegojmë që nëse tamponët para një muaji e nxirrnin negativ, personi në fjalë mund të jetë infektuar edhe më vonë, dhe për këtë arsye, ka prani antitrupash, në analizën që ka bërë 1 muaj më vonë?” Sa për testet, vazhdon burimi nga ISHP, një pjesë e madhe e tyre kanë mbërritur në institucionin tonë si donacione të Bashkimit Evropian apo të USAID-it. Ne vetë nuk vëmë asnjë çikë në dyshim besueshmërinë e tyre. Për Spahinë, nuk flasim dot.