Ecuria e kursit të dollarit amerikan ndaj lekut (usd/lek) në tregun vendas, ka reflektuar nënçmimin e dollarit amerikan në tregjet ndërkombëtare prej gjysmës së dytë të muajit maj. Kursi usd/lek rezultoi mesatarisht 113.8 lekë/usd dhe 110.4 lekë/usd në muajt maj dhe qershor, nga 115.4 lekë/usd në muajin prill. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, forcimi i pozitave të lekut kundrejt dollarit ka vijuar edhe në javët e para të muajit korrik. Në krahasim me një vit më parë, leku forcoi pozitat kundrejt dollarit amerikan, me 2.8%

Ndërkohë sipas BSH-së, kursi nominal efektiv i këmbimit ka mbetur mesatarisht i pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit. Vijimësia e mbiçmimit të lekut kundrejt lirës turke është balancuar nga nënçmimi i tij kundrejt monedhës evropiane.
Mbiçmimi vjetor efektiv është zbutur në këtë tremujor, duke zbritur në 0.7%, nga 2.8% që shënonte në tremujorin e parë të vitit. Ecuri të ngjashme ka shfaqur edhe kursi efektiv real.

Reduktimi më i ngadaltë i mbiçmimit real kundrejt atij nominal vjen si pasojë e diferencës së inflacionit në vend me atë të ponderuar të vendeve partnere tregtare. Që prej muajit mars të këtij viti, inflacioni në vend është më i lartë se ai mesatar në vendet e rajonit, pas rreth dy vitesh që qëndronte nën të. Forcimi real vjetor shënoi 1.3% në tremujorin e dytë, nga 2.2% në tremujorin e parë të vitit.