Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana ka mbushur një vit punë nga mandati 4 vjecar si kryetar i bashkisë Shijak. Ai ka paraqitur një përmbledhje të gjithë punëve dhe sfidave që ka pasur Bashkia e Shijakut gjatë këtij viti. Më poshtë deklarata e tij e plotë:
Ndjehem i nderuar që prej një viti përfaqësoj shijaksit e mi dhe Njësitë Administrative Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj. Një vit më parë unë mora mandatin për të menaxhuar qytetin e Shijakut. Por ndjeshmëria për të përmirësuar gjërat e qytetit tim ka nisur më herët. Një vit punë nuk janë shumë për të plotësuar vizionin tim për Shijakun, por janë të mjaftueshme për të krijuar së pari një mendësi të re, për të hedhur themelet e një qeverisje vendore në shërbim të qytetarëve.
Sfidat e dy tërmeteve që kaluam nuk e ndalën energjinë dhe vizionin tim, përkundrazi të gjitha vështirësitë u kthyen në forcë. Falenderoj Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pazëvendësueshme që na ka dhënë. Pas suksesit që arriti në Konferencën e Donatorëve duke kaluar të gjitha pritshmëritë, na mbështeti duke i hapur rrugën Rindërtimit të qytetit tonë, për të bërë realitet ëndrrën e çdo familje të prekur nga tërmeti për të pasur shtëpinë të re. Më pas sfida jonë si Bashki ishte të përfundonim sa më shpejt aplikimet për dëmet e banesave për çdo ndërtesë të dëmtuar, individuale dhe kolektive.Dhe Ja dolëm duke punuar me orare të zgjatura, të shtunave dhe të dielave.Modestisht më duhet të pranoj që jemi bashkia e parë që ka përfunduar me sukses të gjithë aplikimet për rindërtimin e shtëpive dhe po përfundojmë me dhënien e dëmshpërblimeve nga Grantet, për nivel dëmi DS1,DS2,DS3.