Gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike u shfaq në Manëz duke takuar banorë të prekur nga tërmeti i nëntorit. Basha publikoi në facebook videon me kryefamiljarin e familjes Barruku në fshatin Kameras të Manzës, duke shkruar se prej 10 muajsh, shteti nuk ka marrë asnjë masë për të strehuar këtë familje. Në fakt, video e publikuar nga Basha është një bllof i madh mediatik, së pari sepse vetë qytetari me të cilin Basha po komunikon, Kadri Barruku, pohon se nga qeveria shqiptare ka përfituar bonus qeraje, me të cilin paguan qeranë e një shtëpie në Durrës ku aktualisht jetojnë fëmijët e tij.

Lexo.al ka siguruar edhe dokumentacionin që provon se deklarata e zotërisë është e vërtetë. Kjo më poshtë është fatura e likujdimit të këstit të shtatë të bonusit të qerasë për këtë familje. Por çfarë do të ndodhë më tej me fatin e kësaj familjeje dhe a është e vërtetë që kjo familje është skualifikuar nga programi i rindërtimit siç pretendon Basha në videon e tij? Lexo.al sjell një tjetër dokument që provon mashtrimin e trashë me të cilin Basha përpiqet të fitojë vëmendjen publike.

Bashkia Durrës ka miratuar këtë listë përfituesish nga programi i rindërtimit për disa njësi të bashkisë Durrës, mes tyre edhe Manëz, që do të përfitojnë për banesat individuale. Siç shihet, pjesë e kësaj liste është edhe emri i Kadri Barrukut, shtëpia e të cilit sipas akt ekspertizës duhet të prishet. Në dokument theksohet se zotëria në fjalë është përfitues i grantit të rindërtimit, që do të thotë se është kualifikuar për banesë të re me ndihmën e qeverisë shqiptare.