Në datë 26 janar të vitit 2017, Fatmira Hajdarit i kanë telefonuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, duke i kërkuar që të paraqitej pranë kësaj ambasade. Pasi është paraqitur i është kërkuar të dorëzojë pasaportën dhe i është komunikuar anulimi i vizës për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ditë më pas, në 27 Janar, gjyqtarja e Apelit, Fatmira Hajdari ka dorëzuar formularin e plotësuar për pastërtinë e figurës së saj, duke e fshehur faktin e heqjes së vizës amerikane. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, pasi ka verifikuar për disa muaj me radhë të dhënat e shënuara nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, ka hartuar një raport, duke konstatuar pastërtinë e figurës së gjyqtares.

DSIK e ka dorëzuar raportin pranë Komisionit të Vetingut në datën 2 nëntor 2017. Pavarësisht këtij raporti, Komisioni i Vetingut ka nisur një hetim më të thelluar rreth figurës së gjyqtares së Apelit në Tiranë, e cila është shkarkuar edhe për shkak se nuk justifikonte një pasuri me vlerë 946 mijë USD. Komisioni i Vetingut ka shqyrtuar të gjitha dokumentet e administruara nga organet ligjzbatuese për zonjën Hajdari. Nga shqyrtimi i dosjes së kontrollit të figurës, Komisioni i Vetingut ka konstatuar se gjyqtarja Hajdari, pyetjes nëse i është refuzuar hyrja në ndonjë shtet të BE-së/NATO-s, gjatë 10 viteve të fundit, i është përgjigjur me “jo”, ndërkohë që njerëzit e Vetingut kanë shfletuar pasaportën e saj, ku në f. 29 të saj, kanë konstatua se Fatmira Hajdarit, i ishte revokuar viza për në SHBA. Nisur nga konstatimi i faktit të revokimit të vizës amerikane, Komisioni i Vetingut i ka kërkuar Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar rishikimin e raportit mbi kontrollin e figurës të gjyqtares Hajdari. Me 25 janar 2020, DSIK i ka dërguar një raport të dytë Komisionit të Vetingut për zonjën Hajdari. Në raportin e dytë të rishikuar, DSIK thekson se gjyqtarja “ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës”. Për rrjedhojë, DSIK shprehet në raport se gjyqtarja nuk është e përshtatshme për të vijuar të shërbejë në gjyqësor.