Përgjatë vijës bregdetare, pranë ishullit Stillo e gjirit të Ftelias, prezantohet një tjetër histori e atyre shqiptarëve, shumicës dërmuese të këtij populli në fakt, që nuk i bëjnë naze punës dhe dinë të ndërtojnë suksesin e tyre edhe aty ku duket sikur s’ka shans për sukses.

Kryeministri Edi Rama solli historinë e fermës së akuakulturës “Kronos”, me 12 vaska peshku ku rritet rasati i kocës, e ku punojnë me përkushtim të përditshëm njerëz si Mondi. Ferma është financuar vit pas viti nga AZHBR përmes Skemës Kombëtare, duke rritur sasinë dhe cilësinë e prodhimit.

“Falë edhe mbështetjes dhe masave të marra nga qeveria shqiptare, sot akuakultura është kthyer në një industri të qëndrueshme e të disiplinuar në rritje, ku njerëzit e punës rrisin të ardhurat e tyre dhe edhe ekonominë tonë gjithashtu”, u shpreh Rama.

Frida Krifca, drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural rrëfeu rrugëtimin nga Saranda drejt vaskave të peshkut.

“Është ora 7 e mëngjesit. Ne jemi nisur nga Saranda drejt vaskave të peshkut, një subjekt i mbështetur nga ne, i cili merret me bujqësi, merret edhe me akuakulturë. Do të shkojmë të shohim nga afër sesi është e ndërtuar një fermë peshku. Saranda është e shquar për akuakulturën sidomos për prodhimin e peshkut të levrekut, të kocës edhe të guackores. Ne do të shkojmë të shohim të gjithë ciklin e punës në këtë fermë akuakulture”, thotë ajo.

Sipërmarrësi i mbështetur nga AZHBR-ja ka 12 vaska në fermën e tij të akuakulturës.
“Ferma ka pothuajse 7-8 vjet që funksionon. Ka lindur komplet nga e para. Ne kemi 12 vaska dhe 4 të tjera që përgatitet rasati, vjen aty dhe rritet deri në 400 gramë pastaj shpërndahet në vaska të mëdha. Për momentin ky peshk është i shtatorit. Ky ka arritur standardet 60-70 gramë për momentin. I hedh diku tek 300-400 rasat dhe ai rasat vjen në standardet që rritet gradualisht dhe duke u ndarë nëpër kosheret e vogla, kalon nëpër të mëdhatë. Sa është në këto përmasa ushqehet dy herë në ditë”, thotë Mondi.

Ai thotë se prej këtij biznesi sigurohen të ardhura të mjaftueshme por mbi të gjitha është një punë e bukur e cila kërkon përkushtim.

“Të ardhura të mjaftueshme nëpërmjet punës, njeriu merr të ardhura të mjaftueshme gjithmonë kur gjërat janë lidhje zinxhir. Është biznes fitimprurës, është një biznes i pastër. Unë kam 6-7 vjet që merrem me këtë punë. Çunat që punojnë këtu janë mjaft të përkushtuar. Është biznes i bukur. Këtu faktikisht janë 4 të punësuar dhe një zhytës që bën kontrollet e vaskave”. tha Mondi.