295 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i garancisë financiare II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se kjo garanci sovrane aplikohet për bizneset e të gjithë sektorëve të ekonomisë që kanë nevojë për kapital qarkullues dhe investime për rimëkëmbjen e tyre.
“Vijojmë të ndërmarrim masat e duhura për lehtësimin dhe zbutjen e efekteve ekonomike për çdo biznes në këtë situatë pandemie”, deklaroi Denaj. Sipas Denaj, deri tani bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 11,5 miliardë lekësh dhe janë aprovuar 50% e aplikimeve nga bizneset.
Nga 295 aplikime, ministrja bëri të ditur se janë miratuar 188 prej tyre për një vlerë prej 4.7 miliardë lekësh.
Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5 vjeçare.