Nuk ka surpriza në gjysmëfinalen e dytë të Europa Leagues, teksa Interi arriti të fitojë bindshëm 5-0 përballë ukrainasve të Shakhtar Donetsk, në sfidën e zhvilluar në “Merkur Spiel-Arena” të Dusseldorfit, duke u kualifikuar për në finale, ku do të diskutojë trofeun me spanjollët e Sevillas.
Antonio Conte kishte bërë thirrje për respekt ndaj kundërshtarit dhe kështu bënë zikaltrit në fushë, duke vrapuar për çdo centimetër dhe bërë presing në çdo top, ndërsa pikërisht pas një largimi të gabuar të portierit Piatov, erdhi edhe goli i avantazhit.
Sfera e larguar nga portieri ukrainas shkoi në këmbët e Nicolo Barellas, i cili avancoi me topin në këmbë dhe krosoi në zonë, aty ku gjeti të lirë argjentinasin Lautaro Martinez, i cili nuk mund të gabonte nga vetëm 4-5 metra larg vijës fatale.
Shakhtari bëri shumë pak për të synuar finalen e kompeticionit, pasi përpos një epërsie në kontrollin topit, arriti të kërcënojë vetëm në dy momente kuadratin e Handanovic, me një gjuajtje mbi kuadrat dhe një tjetër të pritur me fat nga kapiteni zikaltër.
Në minutën e 64-t, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, Danilo D’Ambrossio u shkëput mirë në zonë dhe gjuajti saktë me kokë, duke shënuar edhe golin e dytë për zikaltrit, të cilët më pas u bënë padronë të fushës.
Lautaro Martinez shënoi golin e tretë në minutën e 74-t, ndërsa më pas në skenë u ngjit sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili shënoi një dygolësh, prej të cilëve i dyti i tij dhe i pesti për zikaltrit, ishte vërtetë spektakolar.
Kaq mjaftoi që Antonio Conte të ulte në pankinë të gjithë autorët e golave, për t’u dhënë mundësi të kursejnë energji për finalen dhe të hidhte në fushë emra si Eriksen e Sensi, me këtë të fundit që kishte kohë që nuk aktivizohej për shkak të dëmtimeve.
Finalja e Europa Leagues do të zhvillohet të premten e 21 gushtit, në orën 21:00 në “Rfhein Energie Stadium” të Kolnit, aty ku zikaltrit dhe andaluzianët e Sevillas do të provojnë të ngrenë lart trofeun e dytë më të rëndësishëm për klube.
Interi rikthehet kështu pas 10 vitesh në finalen e një kompeticioni europian, pasi për herë të fundit kishte luajtur dhe fituar në finalen e Ligës së Kampionëve në 2010-ën, ndërsa të premten do të kenë mundësi të shtojnë në murin e suksesit një tjetër trofe dhe njëkohësisht të kurorëzojnë me sukses një sezon të nisur me pritshmëri të larta.
Andaluzianët e kanë ngritur lart plot 5 herë këtë trofe dhe të gjithë triumfet janë regjistruar në një periudhë 10-vjeçare, 2006-2016 dhe jo më kot cilësohen si skuadra eksperte e këtij kompeticioni.