Ai është legjendë e gjallë. Edhe pse brezat e sotëm mezi e mbajnë mend në fushat e blerta, ose nuk e kujtojnë fare, Pele konsiderohet “mbreti” i futbollit. Dualizmi i tij me Maradonën ka qenë pak a shumë si ai mes Messit dhe Cristiano Ronaldos, prej më shumë se një dekade. Një video, që po qarkullon në rrjetet sociale, nga ato pikantet e kohës së ikonës braziliane si futbollist, na sjellin para syve një driblues të jashtëzakonshëm, që kalon si “briila” një kundërshtar, dy, tre, katër, pesë me radhë, njëri pas tjetrit, duke ua kaluar topin edhe për shalësh, sikurse themi në zhargon, ose mes këmbëve.

Njëlloj injorimi ky për cilindo futbollist, që kthehet në “tunel” për kundërshtarin. Për nostalgjikët e moshës së tretë tashmë, por edhe informacionin e të rinjve, që s’e kanë parë dot në fushë Pele, kjo video tregon se braziliani ishte magjik me topin në këmbë. Me një prekje “likuidohet” kundërshtari, duke kërkuar “vrimën” ku duhet të kalojë topi: midis këmbëve të tij. Nëse nuk do ndodhte kjo në tokë, atëherë do të rezervohej në ajër. Sepse Pele ishte madhështor edhe në lojën me kokë, pavarësisht shtatshkurtësisë së tij fizike. Sa për driblimet, ai mbetet skaji i fantazisë së cilitdo ylli me një top në këmbë.
https://youtu.be/2a0hkGRKjmc