Florian Kamberi prej javësh ishte përjashtuar nga skuadra e Hibernian dhe ishte në kërkim të një klubi të ri. Gjysmën e sezonit, që sapo u mbyll Kamberi e kaloi në huazim te Reinxhers, ku lëshoi edhe disa deklarata dashurie, që ngjallën reagim negativ te tifozët dhe drejtuesit e Hibernian. Klubi e nxorri menjëherë në merkato 25-vjeçarin dhe ishte St. Galen, që përfitoi dhe arriti të sigurojë shërbimet e sulmuesit të kombëtares sonë.

Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi helvet, që njofton se Kamberi ka firmosur deri në verën e vitit 2023. St. Galen njofton gjithashtu se nuk do të bëhen të ditura vlerat e këtij operacioni, duke mos e publikuar shifrën që kanë paguar për të liruar Kamberin nga skocezët, teksa kontrata e sulmuesit me Hibernian skadonte pas dy vitesh. Kështu, Kamberi kthehet në Zvicër, ku edhe ka hedhur hapat e para në futboll në akademinë e Zyrihut.