Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministren britanike për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton, ku ka kërkuar rol aktiv të britanikëve në përmbylljen e dialogut me Serbinë.
Kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se Mbretëria e Bashkuar është një ndër aleatët historik dhe strategjik të Kosovës, në çdo etapë të shtetndërtimit të saj.
Duke falënderuar Morton për mbështetjen e pazëvendësueshme të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ministrja e Jashtme e Kosovës shprehu vullnetin e Prishtinës zyrtare për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, edhe pas procesit të BREXIT-it.
“Arritjet historike të Kosovës kanë ndodhur vetëm kur të gjithë aleatët tanë kanë vepruar bashkë. Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e rolit aktiv edhe të Mbretërisë së Bashkuar në përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, që duhet të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve ekzistues”, tha Haradinaj – Stublla.