Kreditë më probleme shënuan rënie në fund të muajit qershor duke zbritur në 8.1%, niveli më i ulët në 11 vjet, që nga tremujori i parë i vitit 2009. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi rënie me 0.04 % krahasuar me muajin maj 2020 ku kreditë me probleme regjistruan nivelin 8.14%. Pozitivisht në uljen e treguesit ka ndikuar dhe rritja e kredisë për ekonominë. Portofoli i kredisë shënoi një rritje mesatare mbi 7% gjatë tremujorit të dytë, i mbështetur nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe i kredisë në lekë.
Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2009. Në shtator të vitit 2014, norma e kredive me probleme (NPL) të bankave tregtare në vend arriti kulmin në 25% të kredive bruto. Shqipëria i vuajti pasojat e goditjes nga kriza globale financiare e 2007 dhe 2008. Por pas nisjes së zbatimit të një strategjie të hartuar nga banka e Shqipërisë, treguesi shënoi ulje, duke zbritur në 8.4% në fund të 2019-s.
Qeveria shqiptare dhe Banka Qendrore e vendit filluan në 2015-n zbatimin e një plan veprimi gjithëpërfshirës me 12 pika për të reduktuar stokun dhe shtimin e NPL-ve. Ai përfshinte ndryshime të mëdha ligjore lidhur me strukturën e falimentimit, ekzekutimin e kolateralit, cilësinë e informacionit të kredisë, trajtimin e klientëve të mëdhenj të korporatave huamarrëse që nuk i kishin shlyer detyrimet e tyre dhe reduktimin e informalitetit.
Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në muajin qershor, duke pasqyruar masat konkrete të ndërmarra për reduktimin e tyre, si dhe përmirësimin e ambientit ekonomik dhe të gjendjes financiare të kredimarrësve. Paralelisht me to, ambienti i përgjithshëm financiar paraqitet i favorshëm. Tregjet financiare janë relativisht të qeta, kostot e financimit janë të ulëta, ndërsa kursi i këmbimit paraqitet më i qëndrueshëm, bën të ditur BSH-ja.