Aleanca ushtarake më e fuqishme e planetit, NATO, ka tronditur kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me dy raporte konfidenciale, ku shpreh shqetësimin për shitjen e sekreteve të aleancës nga autoritetet shqiptare tek shërbimet sekrete serbe dhe ruse. Zyra përgjegjëse e NATO për Koordinimin Global të Sigurisë, e ashtuquajtur NOS, i ka dërguar dy raportet kryeministrit Berisha, ku, ndër të tjera, kërkohen edhe sqarime për rrjedhjen e informacioneve sekrete të NATO-s nga autoritetet shqiptare, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme, nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë apo nga përfaqësuesit shqiptarë në NATO.
Zyra për Koordinimin Global të Sigurisë përbëhet nga tri degë: Orientimet e Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë dhe Siguria e Mbrojtjes. Burime pranë Komisionit të Sigurisë Kombëtare bëjnë me dije se dy raportet kanë ardhur nga Siguria e Mbrojtjes, degë kjo pranë Aleancës së Atlantikut Verior. Përpos notës së protestës për rrjedhjen e sekreteve të rëndësishme, NATO nëpërmjet raportit ka kërkuar edhe rritjen dhe forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e informacionit të klasifikuar. Të njëjtat burime sqarojnë se edhe ndryshimi i shumëdebatuar i varësisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka ardhur si reflektim i kryeministrit ndaj shqetësimit të aleancës për rrjedhjen e informacioneve.
Megjithatë, anëtarët e PS në Komisionin e Sigurisë, kalimin e DSIK në varësit të drejtpërdrejt të Berishës e kanë lexuar edhe si një mungesë besimi që Berisha ka ndaj ministrive dhe ministrave. Po ashtu, dyshimet thellohen më tej lidhur me rrezikun e blerjes së përfaqësuesve shqiptarë nga agjentë të shërbimeve serbe dhe ruse. Ndërkaq, Zyra përgjegjëse e NATO për Koordinimin Global të Sigurisë ka shprehur shqetësimin edhe për tendencën e kryeministrit Berisha për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror, duke zëvendësuar kreun e këtij institucioni me një të besuar të tij. Gjatë debatit për kalimin e ligjit për SHISH në Kuvend, Berisha ka marrë një letër nga zyra përgjegjëse e NATO për Koordinimin Global të Sigurisë, ku i kërkohej që projektligji për SHISH të kalojë më parë nga kjo zyrë. Letra ishte ultimative dhe në një linjë me qëndrimet e amerikanëve. Kërkesa për një shqyrtim të ligjit nga ekspertë ndërkombëtarë u formulua fillimisht nga ambasadori Ëithers. Ai tha se projekti, ashtu siç ishte miratuar në Komisionin e Sigurisë, binte ndesh me standardet e NATO dhe e çonte Shqipërinë në rrugë të gabuar. Beteja përfundoi me tërheqjen e Berishës nga projekti për të kontrolluar SHISH, pasi kryeministri humbi mazhorancën në Kuvend.
Shitja e sekreteve të aleancës nga autoritetet shqiptare tek shërbimet sekrete serbe dhe ruse, dhe afera e trafikut të armëve drejt vendeve arabe, e kanë përjashtuat de fakto Shqipërinë nga NATO. Në këto kushte, NATO ka vendosur të përjashtojë nga mbledhjet e rëndësishme përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, duke u nisur nga precedenti i shitjes së sekreteve të aleancës. Burime nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare bëjnë me dije se përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes në NATO tashmë ka thjesht një rol formal, pasi ai nuk ftohet në mbledhjet e rëndësishme, për shkak të aferave të Ministrisë së Mbrojtjes. De fakto, NATO përjashton nga mbledhjet ministrin e Mbrojtjes, Arben Imamin, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralin Xhemal Gjunkshi, të cilët e kanë kthyer Ushtrinë në një çerdhe që gjeneron vetëm afera korruptive nga më të ndryshmet, duke filluar që nga misionet paqeruajtëse e deri tek lirimi arbitrar i gjeneralëve. Të njëjtat burime shtojnë se përfaqësuesi shqiptar i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nuk është ftuar në diskutimet e brendshme.
Kryeministria ka akuzuar ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, dhe ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, si personat përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve sekrete të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Deputetët e PS në Komisionin e Sigurisë pyetën përfaqësuesit e Kryeministrisë për rolin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në menaxhimin informacionit sekret të NATO, duke u nisur nga precedenti i rrjedhjes së informacioneve nga autoritetet shqiptare. Drejtori Juridik i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Këshillit të Ministrave, Ramadan Çaço, theksoi se DSIK është institucion përgjegjës për informacionet e NATO. Duke iu referuar akuzave për rrjedhjen e informacionit, Çaço theksoi se një pjesë të rëndësishme e informacionit sekret të NATO menaxhohet nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes. Ai mohoi që sekretet të kenë rrjedhur nga DSIK, por la të kuptohet se sekretet mund të kenë rrjedhur nga Ministria e Jashtme ose nga Ministria e Mbrojtjes.
Kryeministri Berisha ka sqaruar arsyet se pse i atribuoi vetes të drejtën e kontrollit absolut të sekreteve shtetërore. Në relacionin e projektligjit nuk thuhet se Berisha nuk ka më besim tek ministrat e tij, por se informacioni i kualifikuar menaxhohet më mirë nëse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar varet direkt nga kryeministri dhe jo nga Këshilli i Ministrave. “DSIK ka si objekt të veprimtarisë së vet organizimin, drejtimin dhe kontrollin e masave për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. Me ligj përcaktohet se DSIK-ja krijohet “… pranë Këshillit të Ministrave…”, duke u trajtuar në këtë mënyrë si institucion në varësi të Këshillit të Ministrave. Kjo mënyrë trajtimi sjell vështirësi praktike për përcaktimin e strukturave të Këshillit të Ministrave, që praktikisht janë përgjegjëse për ndjekjen e veprimtarisë së institucionit dhe marrjen e përcjelljen e iniciativave të ndryshme në organet e larta vendimmarrëse”, thuhet në relacion, shkruan gazeta “Sot” e Tiranës më 12 mars 2012.