Ekipi i mjekëve italianë dhe i Mbrojtjes Civile kanë përfunduar sot misionin e tyre në Shqipëri, ku kanë ofruar eksperiencën e tyre për ekipet e mjekëve shqiptarë në spitalet COVID si dhe për menaxhimin dhe organizimin spitalor. Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët në sfidën ndaj COVID-it. “Ekipi ynë shëndetësor kthehet sot në Itali pas dy javësh intensive pune në Shqipëri. Ky qe fillimi i një rrugëtimi në të cilin do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të fituar sfidën ndaj Covid-19! Mirupafshim dhe Faleminderit”, shkruan ambasada.

Para largimit, bluzat e bardha u pritën edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Dy javë më parë, Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë erdhi në Shqipëri në mbështetje të vendit tonë në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID10. Grupi i ekspertëve zhvilloi veprimtari konsulence dhe ndihmoi me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid. Grupi përbëhej nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria. Ndërsa pritet të vijojë bashkëpunimi me misione të tjera për shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve tona.