Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur ditën e sotme në zonën e portit të Bejrutit në Liban, ku qindra njerëz janë plagosur, ndërtesat janë shkatërruar dhe makinat janë kthyer përmbys.

Nga forca e shpërthimit në depon e fishekzjarrëve, shumë prej ndërtesave janë copëtuar si të ishin prej letre dhe rrugët janë mbushur me copa betoni e hekurash. Njerëz të frikësuar janë nëpër rrugë, të tjerë që kërkojnë të afërmit dhe persona që kërkojnë ndihmën e parë pasi janë plagosur. Qyteti është kthyer në gërmadhe dhe duket i shkretuar pas shpërthimit të madh.

Shumë ndërtesa u dëmtuan nga shpërthimi, përfshirë edhe selinë e ish-kryeministrit Saad Hariri. Pas shpërthimit i krahasuar me tronditjen e një tërmeti nga dëshmitarët, mbi depon e fishekzjarrëve është parë një re e kuqe. Ekipet e zjarrfikësve dhe mjekët  nxituan në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë për të gjithë personat e plagosur.

Tashmë është një situatë kaotike në spitalet e Bejrutit, ku ka persona të shtrirë përtokë e me gjymtyrë të thyer që kërkojnë ndihmë. Deri më tani raportohen 50 të vdekur dhe qindra të plagosur. Akoma nuk dihen shkaqet e shpërthimit dhe i vetmi synim është që të shpëtohen sa më shumë jetë të mbetura në rrënoja dhe pikërisht në depo ku zjarri vazhdon të jetë aktiv akoma.

Një qytet “i vdekur”! Kështu mund të përshkruhet Bejruti pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi pasditen e kësaj të marte. Në rrugë dëgjohen vetëm ambulanca, që mes rrugëve tashmë të shkatërruara po bëjnë përpjekje për të shpëtuar të plagosur që kanë mbetur nën rrënoja. Ndërtesat janë shkatërruar, shtëllunga tymi vijon të jetë mbi qiell, qytetarët të panikosur ndodhen në rrugë, të tjerë janë të gjakosur, të tjerë në kërkim të të afërmve të tyre që janë zhdukur.