Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka bërë një postim në rrjetin e saj social, Facebook, në lidhje me mësuesin ndihmës, figurën e të cilit e vlerëson si një pikë kyçe në avancimin e prioritetit të gjithpërfshirjes të MASR. “Gjithpërfshirja është dhe do të mbetet prioritet madhor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në këtë kuadër, kemi ecur më tej duke licencuar për herë të parë mësuesin ndihmës në profilin “Arsim Special”, sepse besojmë fuqishëm se mësuesit ndihmës të mirë-përgatitur janë shtyllë bazë në avancimin e këtij prioriteti”, nënvizon Shahini.
Aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar janë rreth 1,090 mësues ndihmës. Rritja vit pas viti e numrit të mësuesve ndihmës ka ndikuar pozitivisht gjithashtu në rritjen e numrit të nxënësve me aftësi ndryshe në sistemin arsimor, në pavarësimin e tyre dhe arritjen e potencialit të tyre maksimal.