Nga Ylli Pata
Dy shkrime të Frrok Çupit kanë risjellë debatin e lënë pezull në vend në lidhje me rolin e medias ndaj asaj që quhet “mafia”, “krim i organizuar”.
Piersanti Matarella, vëllai i madh i Presidentit të sotëm Sergios, në fund të viteve 70 të shekullit të shkuar emërohet President i Rajonit të Siçilisë, dhe menjëherë nis një erë të re, flet me emër për mafian, Cosa Nostra-n, që në atë kohë në Siçili thuhej se nuk ekziston dhe është “teori konspirative”.
Nisi të çmontojë lidhjet e mafias me shtetin, hetoi tenderat e ndërtimit, e ndërtimit të rrugëve shkollave etj, ku gjeti tmerre; ishin paguar para për shkolla, por në realitet objektet ishin gërmadha.
Hapi konkurse për të pranuar nëpunës pa miq, por vetëm sipas aftësisë, ç’ka solli një zinxhir të madh mobilizimi e shprese tek qytetarët, se mund të fillosh punë në shtet edhe pa lidhje politike.
Këta nëpunës të rinj u bënë edhe bashkëpunëtorët më të afërt të Matarella-s. E përkrahën në hetimet e tij ndaj procedurave të tenderave, mënyrës së dhënies së lejeve, apo edhe denoncimit të mafia-s.
6 janari 1980, ishte ditë e diel, Piersanti Matarella, së bashku me të shoqen, dy fëmijët dhe vjehrrën, po shkonin në meshë, një rit i zakonshëm që bënin çdo fundjavë.
Sapo ka hyrë në makinën e tij një Fiat 132, një vrasës me pagesë u afrua pranë dritares së shoferit dhe shtiu mbi të një karikator të tërë pistolete Colt Cobra kalibër 38 Special, me të cilën u vra edhe prokurori Mario Amato.
Vrasja e Matarella-s, si me “magji” e fshiu gjithë atë frymë e shpresë popullore kundër mafia-s, duke kthyer frikën në qytet e tërë ishullin.
Politika u kthye në bunkerët e zakonshëm të lidhjes me mafia-n, tenderët vijuan të bëhen ashtu, si gjithmonë, para që harxhoheshin por shkolla që binin. Po mediat? Eh mediat, u harrua sërish fjala mafia e nisi lufta politike kundër komunistëve e terrorizmit.
Giuseppe Fava, që nga shokët thirrej Pipo, ndryshe nga shumë gazetarë në Siçili që bënin një kronikë të përgjithshme, vijoi logjikën e denoncimit të krimit të organizuar me segmente të institucioneve.
Dhe këtë e bëri në nisma përgjithësisht vetë financuese. Në drejtimin e “Giornale del Sud” fliste për Cosa Nostra-n, pronat e tyre, në gurore, toka, troje, tendera, të gjitha që mafia i merrte me firmën e krerëve të bashkisë ose të kreut të rajonit.
Qe i pari që shkroi, natyrisht në bashkëpunim me oficerë të guximshëm të policisë së Palermos, në lidhje me trafikun e drogës, paratë që ky trafik investonte në ekonominë dhe i pastronte edhe në media.
Në fillim e hoqën nga puna, duke e akuzuar si zhurmëmadh e sherrxhi. Dikush shkroi se është pijanec, madje edhe feminist. Por Pipo ia doli dhe ngriti me lekët e veta një revistë mujore që eci majft mirë.
Intervistën e fundit e ka dhënë për të ndjerin Enzio Biagi, në Rai, ku deklaroi: “E di që kemi një konfuzion të madh për rastin e mafia-s. Mafiozët janë në parlament, mafiozët herë pas here janë ministra, mafiozët janë bankierë, mafiozë janë ata që në këto moment janë në krye të vendit tonë. Nuk mund të quhet mafioz një kriminel i vogël që të imponon se sa duhet ta kesh dyqanin, që mendoj banon në çdo qytet Italian dhe Europian. Fenomeni i mafias është më tragjik dhe i rëndësishëm”.
Më 5 janar 1984, Pipo mbaroi shkrimin në gazetë, e çoi për redaktim dhe shkoi të marrë nipin për ta çuar në shfaqe teatrale. Hipi në makinën e tij Renault 5, por një revolver e kalibrit 7.65 qëlloi në qafën e tij thuajse 7 plumba.
Shkruan për të se e kishin vrarë për “krim pasioni”(alibi shumë e njohur edhe në Tiranë), por më vonë Giovani Falcone, natyrisht edhe me ndihmën e Buschetta-s gjeti autorët, financuesit, por edhe urdhërdhënësit. Ishte Cosa Nostra, klani famëkeq i corleonezëve.
Tek ne, nga 2014, kur nisi ajo nisma e reformës për drejtësi, pati mjaft shpresë në publik, se e keqja do të ndëshkohet, të paktën do të nisë…
Nisën të flisnin ambasadorë, se politikanë jo e jo. Gazetarë, pak por flisnin.
Pastaj sapo u miratuar reforma në drejtësi, pikërisht atë natë, nisën sulmet ndaj Donald Lu-së dhe Romana Vlahutinit, njerëzve që karrierën e tyre ja kushtuan miratimit të reformës.
Çfarë nuk thanë për ta. Janë gazetarë me emër e mbiemër, shqiptarë. Nuk i njihnin fare, po fare fare, thjesht se i thanë të shkruanin.
Pas këtyre sulmeve entuziazmi ra! Kur sulmohen të mëdhenjtë, po të tjerët?! S’kishte më shkrime, as betime, por vetëm shpresë kot fare. Natyrisht edhe premtime politike.
Kur nisën sekuestrimet e para, sikur diçka u hap…Shkroi Frroku, natyrisht si ai, provokativ dhe goditës. E sulmuan egër, pikërisht për të paralajmëruar të tjerët, se sulmi i Frrokut është “shkrim pasioni”, pasi “mafia nuk ekziston”…
TemA