Ishte në ajër tashmë prej kohësh, por vetëm tani është bërë realitet: Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të normalizojnë marrëdhëniet e tyre diplomatike. Ndërmjetësimi i Presidentit Trump dhe momentumi i krijuar nga vullneti izraelian, i deklaruar dhe më pas i ngrirë, për të aneksuar njëanshmërisht pjesë të Cisjordanisë, kanë çbllokuar përfundimisht një rrugëtim afrimi të gjatë dhe kompleks. Pasditen e 13 gushtit, pas një telefonate midis presidentit Trump, kryeministrit izraelian Netanyahu dhe princit Trashëgimtar emiratas Mohammed Bin Zayed (MbZ), është botuar një Deklaratë e Përbashkët që ka bërë zyrtar rrugëtimin e normalizimit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Abu Dhabi është shteti i tretë arab që njeh diplomatikisht Izraelin, pas Egjiptit (1979) e Jordanisë (1994) dhe i pari që e bën ndër shtetet e Gjirit. Specifikisht, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje paqeje, siç shumë e kanë quajtur, duke qenë se të dy vendet nuk janë përballur kurrë në ndonjë konflikt, por për një normalizim të marrëdhënieve diplomatike. Siç përcillet në komunikatën e përbashkët dhe theksohet në deklaratën për shtyp nga Trump, brenda 3 javësh Shtëpia e Bardhë do të presi firmosjen e marrëveshjes dypalëshe në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëpërmjet së cilës do t’i jepet substancë ujdisë.
Rrugëtimi që ka çuar tek marrëveshja Në një plan rajonal, skema mbi të cilën ngrihet ky rreshtim i ri është ajo e bërë nga Presidenti Trump në udhëtimin e tij të parë në Lindje të Mesme në majin e largët të 2017 dhe, më në përgjithësi, nga politika e Lindjes së Mesme e tij. Faktikisht, bëhet fjalë për një rrugëtim restaurimi të aleancave historike që Shtetet e Bashkuara kanë në rajon, pas një faze devijimi të promovuar në vitet e presidencës Obama, më shumë i angazhuar me aktorët shprehje e Islamit politik.
Nëse objektivi strategjik i të dy presidentëve ishte njëlloj, domethënë një lehtësim i pranisë së tyre në rajon, në planin strategjik një qëllim i tillë është ndjekur në mënyrë të kundërt. Në projektin trumpian, zhdoganimi i Izraelit nga ana e shteteve arabe aleatë të Uashingtonit shërben për t’ua deleguar këtyre menaxhimin e një ekuilibri rajonal më shumë i vetëmjaftueshëm. Aq më shumë në një fazë ku aktorë të tillë ndjehen të bashkuar nga i njëjti kërcënim turko – iranian, në një rajon ku përbashkësia e interesave dhe jo më ndarjet etniko – fetare arrijnë të shpjegojnë rreshtimet e reja. Siç rindërtohet nga gazetari izraelian Barak Ravid, në planin dypalësh loja është çbllokuar rreth 2 muaj më parë, kur Izraeli niste rrugëtimin e aneksimit të njëanshëm të pjesëve të Cisjordanisë. Megjithëse gjatë këtyre orëve mediat emiratase po i japin peshë të madhe heqjes dorë ndaj një aneksimi të tillë, në një prizëm retorik për përdorim të brendshëm, në realitet karta palestineze ka përfaqësuar vetë një stratagjemë negociuese.
Normalizimi midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara faktikisht nuk ishte në diskutim dhe herët apo vonë do të konkretizohej. Provat e përgjithshme e një ujdie të tillë zgjasnin prej kohësh. Veç të tjerash, mjafton të mendosh për bashkëpunimin që të dy vendet kanë ndërmarrë në luftën kundër Covid-19; për ardhjen javët e kaluara e dy avionëve kargo emiratas në aeroportin “Ben Gurion” të Tel Avivit me ndihma mjekësore – shëndetësore për popullsinë palestineze; për praninë e ambasadorit emiratas në prezantimin e Peace to Prosperity Plan trumpian dhe në ftesën Izraelit për Expo Dubai e 2021. Në planin negociues, në fund të qershorit Al – Oatiba, ambasadori emiratas në Uashington, i ka paraqitur propozimin e tij negociues Jared Kushner, Senior Advisor i Trump, dhe Avi Berkowitz, Përfaqësues Special për Negociatat Ndërkombëtare i Shtëpisë së Bardhë. Siç pohohet në mënyrë implicite në një editorial të botimit hebraik të gazetës “Yedioth Ahronoth”, në shkëmbim të heqjes dorë nga aneksimi cisjordanez emiratasit do t’i ofronin shtetit hebraik normalizimin e marrëdhënieve diplomatike.
Nga ana izraeliane, dosja është menaxhuar tërësisht nga kryeministri Netanyahu në bahskëpunim me Yossi Cohen, Drejtor i Mossadit, pa dijeninë e Benny Gantz dhe Gabi Ashkenayi, përkatësisht Ministër Mbrojtjeje dhe i Jashtëm. Në konfirmim të skemës klasike që do ta shikonte Mossadin (më varësi nga Zyra e Kryeministrit) dhe jo trupin diplomatik në rolin e lehtësuesit të privilegjuar për kurimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe shteteve arabe të rajonit.
Çfarë parashikon marrëveshja dhe çfarë nuk është e qartë Siç është thënë më parë, më javët e ardhshme delegacione të Izraelit dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe do të takohen për të firmosur marrëveshje dypalëshe në sektorë të ndryshëm: turizëm, lidhje direkte ajrore, siguri, telekomunikacione, teknologji, energji, shëndetësi, kulturë e mjedis. Do të hapen ambasadat respektive dhe dërgohen misione diplomatike të përhershme. Brenda një periudhe të shkurtër, një sektor bashkëpunimi të cilit do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë do të jetë ai i kërkimit për zhvillimin e një vaksine antikovid. Veç kësaj, një fokus i veçantë do t’i kushtohet dialogut ndërfetar, qershia mbi tortë e kursit të ri emiratas të markës MbZ (të mos harrohet vizita e shkurtit 2019 e Papës Françesku në Abu Dhabi). Aq sa, siç shpjegohet nga David Friedman, ambasadori amerikan në Izrael, marrëveshja do të kujtohet si Marrëveshja e Abrahamit. Disa aspekte themelore ende nuk janë sqaruar. Për shembull, edhe një herë akoma respektivisht temës së aneksimeve cisjordaneze nga ana e Izraelit. Komunikata e përbashkët flet për një pezullim të deklarimit të sovranitetit në referim me porcione cisjordaneze të parapara qsh në planin trumpian dhe jo vetëm nga aneksimi i njëanshëm izraelian (dy rrugëtime që, në të kundërt, deri në këtë moment janë mbajtur të ndara). Veç kësaj, në deklarimet e mëpasme Trump ka pohuar se aneksimi është për t’u konsideruar off the table, duke aluduar kështu për një heqje dorë përfundimtare nga ana izraeliane. Përkundrazi, Netanyahu ka folur thjesht për një ngrirje të thjeshtë me datë për t’u përcaktuar. E sigurtë është që një dosje e tillë mbetet e pazgjidhur dhe çdo aktori i është dhënë hapësira e nevoijshme e ambiguitetit për të rivendikuar një sukses total përpara opinionit publik respektiv. Pavarësisht kësaj, të tjera janë çështjet jo të sqaruara për të cilat është e nevojshme të pritet teksti përfundimtar i marrëveshjes ende jo e firmosur. Bëhet fjalë për një seri aspektesh që kanë të bëjnë sintetikisht me temën e kufijve të shtetit izraelian. Pyetja që ngrihet është sa vijon: me çfarë kufijsh do ta njohin Emiratet e Bashkuara Arabe Izraelin? Për shembull, Egjipti dhe Jordania e njohin brenda kufijve të vitit 1967, të njohura ndërkombëtarisht nëpërmjet Rezolutës 242/1967 dhe pasuesve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në të kundërtën, nga ajo që deduktohet nga teksti i deklaratës së përbashkët dhe nga sa pohohet drejtpërsëdrejti nga MbZ, marrëveshja është arritur mbi bazën e ngrirjes së aneksimeve të ardhshme. Sikur të jetë kështu, do të nënkuptonte se Emiratet e Bashkuara Arabe do të shtyheshin më tej, duke pranuar statuskuonë që paraqitet në terren: vendbanimet hebraike në Territoret Palestineze, territoret tashmë të aneksuara përtej kufijve të vitit 1967 dhe Security Fence, domethënë muri ndarës i ndërtuar nga Izraeli duke filluar nga viti 2002. Përfundimisht, ka shumë të ngjarë që të mos arrihet në një përkufizim të qartë në raport me aspekte të tilla.
Marrëdhëniet ndërkombëtare Të gjithë aktorët palestinezë kanë përdorur fjalë të ashpra ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke folur për një tradhëti ndaj kauzës së tyre. Autoriteti Palestinez ka bërë thirrje për konsultime ambasadorin e tij në Abu Dhabi, ndërsa nga fronti i rezistuesve, Hamasi dhe Xhihadi Islamik theksojnë se një marrëveshje e tillë nuk do t’i ndryshojë konturet e luftës së tyre, që përfundimisht mbetet një konfrontim për t’u bërë me armë. E sigurtë është se një hipotekë e tillë është çka parashikohet nga Arab Peace Initiative e lançuar në vitin 2002, e cila ka përfaqësuar bazën negociuese të cilës shtetet e Lidhjes Arabe i referoheshin. Siç mund të pritej, në planin ndërkombëtar Turqia dhe Irani janë vendet që më shumë se të gjithë kanë dashur ta manifestojnë kundërshtinë e tyre ndaj një marrëveshjeje të tillë. Presidenti turk Erdogan ka akuzuar Abu Dhabi se ka adoptuar një qasje hipokrite të cilën historia nuk do t’ia falë, ndërsa po mediton që të pezullojë marrëdhëniet diplomatike me shtetet e Gjirit. Nga ana e saj, Ministria e Jashtme iraniane e ka quajtur marrëveshjen një mëkat të rrezikshëm që do të ketë si efekt forcimin e mëtejshëm e aksit të rezistencës antiizraeliane. Përfundimisht, është e qartë se nga këndvështrimi izraelian dhe emiratas marrëveshja e normalizimi ka pak të bëjë me çështjen palestinezenë vetëvete dhe shumë me ekuilibrat e rinj të forcës që po ravijëzohen në makrokuadrantin gjeopolitik të ndodhur midis ngushticave të Gjibraltarit e të Malakës, duke kaluar nëpër Mesdhe, Detin e Kuq e Oqeanin dhe që përfshin dy qafa të tjera shishesh strategjike si Suezi dhe Bab al-Mandabi, përveçse Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit. Prandaj, siç është hedhur tashmë e zeza mbi të bardhë në komunikatën e përbashkët, në javët e ardhshme ka të ngjarë që shtete të tjera të Gjirit do t’i ndjekin gjurmët emiratase. Bahreini është i prituri i parë, ndërsa do të jetë shumë më kompleks rrugëtimi që pret Arabinë Saudite. (nga Geopoliticus) Përgatiti: Armin Tirana