Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pas bisedimeve të gjata me palën greke përgjatë këtyre ditëve, në nivelet më të larta me autoritetet e saj, është arritur mirëkuptimi që pika kufitare e Kakavijës të vijojë punën edhe pas orës 22:00. Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme duke vijuar me të njëjtat ritme intensive të testimit dhe kalimit të shtetasve të mbetur në rradhë në Kakavijë, deri nesër, e diel, dt.16 gusht 2020, ora 22:00.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor. Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.
Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:
Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).
Nënvizojmë se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund ti gjeni në faqen zyrtare: https://shendetesia.gov.al/mbi-njohjen-e-strukturave-jopublike-per-kryerjen-e-testit-rt-pcr/
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit garanton kujdesin maksimal në kontrollet e dokumentacionit të nevojshëm shumë më herët se mbërritja në kufijtë tokësorë në mënyrë që të evitohet pritja e shtetasve në rradhë.