Punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës janë duke vijuar paralelisht në disa lote të këtij projekti, për të bërë të mundur që kjo vepër të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë. Plotësimi i kësaj vepre do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në kryeqytetet duke lehtësuar ndjeshëm trafikun.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuam punimet që po kryhen në pjesën verilindore të Unazës, konkretisht në Lotin 3.
Kreu i ARRSH sqaroi se pas daljes së VKM-së për shpronësimin e banorëve, që preken nga projekti, punimet janë duke ecur me ritme të kënaqshme dhe brenda muajit shtator segmenti nga zona e Maternitetit të Ri deri në rrethrrotullimin e Shkozës, do të hapet për qarkullimin e automjeteve.
“Pjesa e rikualifikimit të kësaj kontrate fillon me rehabilitimin e lumit Lanë, me zgjatjen e unazës së vjetër deri në rrethrrotullimin e Shkozës. Të gjithë banorët e Shkozës dhe ata që banojnë në Dajt, do t’a aksesojnë unazën e vjetër përmes këtij segmenti. Më pas, deri në fund të vitit, ne lidhemi me pjesën e lotit 2”, u shpreh drejtori Verdho.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, solli në vëmendje problematikat e evidentuara në këtë projekt, ku shpronësimet kanë qenë ato, të cilat kanë krijuar më tepër vonesa, por tashmë edhe kjo çështje ka marrë zgjidhje, duke i hapur rrugë avancimit të punimeve.
“Unaza e jashtme e qytetit të Tiranës është një nga veprat më të rëndësishme dhe nuk i përket vetëm qytetit të Tiranës, por është një vepër e rëndësishme, e cila është në funksion të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Me ecuritë e punimeve në lotet e Unazës së Re, me përfundimin e këtij segmenti këtu, me dorëzimin e segmentit tjetër të këtij kantieri dhe duke avancuar edhe me projektet e tjera që kemi, plotësojmë Unazën e jashtme të Tiranës, e cila do t’u ofrojë të gjithë qytetarëve një lëvizje të shpejtë, duke shfryrë trafikun që ne kemi brenda qytetit dhe që është problematika kryesore”, theksoi Balluku.
Duke u ndalur tek kompleksiteti i theksuar i kësaj vepre, e cila kalon përmes një zone urbane, çka e bën edhe më të vështirë punën, ministrja Balluku u shpreh: “Kjo është një vepër në formë pazëlli. Çdo kantier që vonohet krijon vonesa në kantieret e tjera, kështu që ne jemi të interesuar, që kantieret të përfundojnë dhe të dorëzohen njëra pas tjetrës për t’i dhënë Tiranës unazën e saj të jashtme që i mungon prej vitesh, për të shfryrë gjithë trafikun dhe gjithë kompleksitetin, që tashmë qyteti ka si pasojë e rritjes demografike që ka pësuar”.
Ministrja Balluku nuk ka lënë jashtë vëmendjes situatën e krijuar nga COVID-19 dhe për këtë kërkoi nga drejtuesit e punimeve respektimin rigoroz të masave kundër kësaj pandemie. Sipas ministres, edhe pse punohet në mjedise të hapura, është shumë e rëndësishme ruajtja e distancës mes punonjësve.