Shkollat do të hapen. Nxënësit do të rikthehen në bankat e shkollat në vitin e ri shkollor që do të nisë në muajin shtator. Ministrja e Arsimit Besa Shahini u kërkoi sot 61 bashkive të vendit që të nisin pastrimin e shkollave për t’i bërë gati për në shtator. Ministrja Shahini u shpreh se qëllimi është hapja e shkollave për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave të ndryshme, në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, etj.

“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla.Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i cuare në shkollat më të afërta. Ne kemi bërë një pilotim të kthimit të nxënësve në shkollë për maturantët në maj, funksionon si proces. Ne mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë kujdes. Gjermania dhe Zvicra i bënë hapjen e shkollave pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre ndaqë kanë klasë me numër të vogël të nxënësve. Franca do i ndajë në grupe. Vendet e rajonit do i hapin pjesërisht. Ne duam ti hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë, apo një grup shkollash. Bashkitë duhet të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator” tha Shahini.