Qendra e re e Arkivave Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor në kompleksin rajonal në Durrës do të krijojë kushte sigurie, pune komode e shpejtësi në përpunimin dixhital e informatik të arkivave aktive për shërbimin dhe institucionet e treta.
Kështu u shpreh sot Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, i cili solli po ashtu në vëmendje situatën “si i gjetëm arkivat, dosarët, ambientet ku punonjësit duhet të përpunonin të dhënat e të kërkonin dosje mjetesh, drejtuesa të mjeteve apo licensave të transportit për t’u shërbyer qytetarëve dhesubjekteve me vonesa në shumicën e drejtorive rajonale, me humbje kohe e dosjesh.
Ndaj, tha ai, “pritet vetëm zbardhja e lejes dhe modaliteteve finale dhe do të nisë ndërtimi i Qendrës së re të Arkivave Qendrore të DPSHTRR, në kompleksin rajonal në Durrës.
Gonxhja tha se “po ashtu kemi nisur edhe dixhitalizimin dhe indeksimin e regjistrave fizikë të drejtuesve të mjeteve, të mjeteve e të arkivave aktive në DPSHTRR me projektin e ri eARKIVA, pjesë e investimeve me fondet e vetë entit, për informatizimin e kërkimit të të dhënave, me siguri e sisteme”.
“Godina tërësisht e re, 2312 m2 ndërtim, me 3 kate, me tërë standardet antizjarr e infrastrukturë speciale arkivash, e miratuar edhe në KKT dhe me oponencën zyrtare edhe nga IN, është investim që financohet nga fondet e DPSHTRR, falë mirëadministrimit të të ardhurave 2019-2020”, theksoi ai.