Brenda shtatorit, segmenti i Unazës së Madhe të Tiranës, nga Materniteti i Ri deri në rrethrrotullimin e Shkozës, do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Kryeministri Edi Rama deklaron se “Unaza e Madhe e Tiranës ishte një nga ato veprat e infrastrukturës që u numëruan si “pun e kryme” pasi u inauguruan me daulle – por pa kokërr leku për investimin e për shpronësimet – dhe krijuan borxhin e radhës ndaj kompanive të përfshira”.

“Sot kantieri i saj është prej kohësh në punë në pjesën veri-lindore dhe brenda shtatorit, segmenti nga Materniteti i Ri deri në rrethrrotullimin e Shkozës, do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve duke lehtësuar ndjeshëm trafikun në atë zonë të kryeqytetit”, ka theksuar Rama.

Ndërkohë, ka shtuar kryeministri Rama, “vijon puna në lotet e tjera për të bërë të mundur që kjo vepër e rëndësishme të jetë, në një kohë sa më të shpejtë, në dispozicion të kryeqytetasve e të udhëtarëve të shumtë që përdorin çdo ditë infrastrukturën rrugore të Tiranës”.