Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rikujton tё gjithё individët pёr t´iu pёrgjigjur thirrjes se Institucioneve Financiare ku ata kanё llogari, pёr plotёsimin e vetёdeklarimit tё nevojshёm pёr pёrcaktimin e rezidencës sё tyre fiskale.
Në një njoftim për shtyp, DPT bën të ditur se, “Shqipëria është e angazhuar të fillojë Shkëmbimin Automatik të Informacionit për Llogaritë Financiare të OECD-së (në fund të vitit 2020). Duke filluar nga 11.03.2020, kur hyri në fuqi Ligji “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit për Llogaritë Financiare”, të gjitha Institucionet Financiare në Shqipëri, përfshirë edhe bankat, janë të detyruar të zbatojnë procedurat dhe masat për përmbushjen e detyrimeve të këtij Ligji (raportimi pranë DPT për llogaritë e konsideruara si të raportueshme, sipas standardit CRS – Common Reporting Standard – që figurojnë të çelura me datë 1 Janar 2019 dhe për ato të hapura gjatë vitit 2019)”.
“Bazuar nё ndryshimet e fundit ligjore lidhur me Shkёmbimin Automatik tё Informacionit tё llogarive financiare, Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve njofton se janё miratuar sё fundmi Ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, botuar nё fletoren zyrtare.
“Me ndryshimet e fundit ligjore janё shtyrё edhe disa nga afatet kryesore. Në nenin 11 shtohet pika 2 me këtë përmbajtje: “Përjashtimisht për shkëmbimin e parë automatik, autoriteti kompetent shkëmben informacion me juridiksionet e tjera kompetente brenda datës 31.12.2020”.
Ndёrsa pika 1 e nenit 19 ndryshohet si nё vijim: “Përjashtimisht për raportimin e parë, institucioni financiar raportues, pas aplikimit të procedurave të vigjilencës së duhur, raporton brenda datës 15 nëntor 2020 për të gjitha llogaritë e raportueshme ekzistuese në datën 1.1.2019, si dhe llogaritë e raportueshme të hapura përgjatë vitit 2019, sipas detyrimit të përcaktuar në nenin 6 të këtij ligji””- thuhet në njoftim për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve .